Lajme

SHBA-të mbështesin çdo iniciativë përfshirë Ballkanin e Hapur, thotë Escobar


Gabriel Escobar

Për të deleguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar,  alternativa e vetme për Ballkanin Perëndimor është integrimi evropian dhe se sipas tij ndihma e Bashkimit Evropian në këtë proces është e vetmja përgjigje për krizën ekonomike që po troket.

Këto deklarata Escobar i dha në panelin e Forumit Strategjik të Bled në Slloveni, i cili mbledh së bashku liderët e rajonit dhe vendeve të tjera evropiane.

Për top-diplomatin amerikan Bashkimi Evropian duhet të bëjë shumë për të thjeshtësuar procesin e anëtarësimit në bllokun evropian.

“Por, shumë më terë punë duhet të bëjnë qeveritë e shteteve të rajonit për të bërë të mundur kështu procesin e integrimit, ndërkohë që disa shtete dështojnë të përmbushin detyrimet e tyre”.

Escobar tha se e vetmja përgjigje për krizën e ardhshme ekonomike është integrimi ekonomik i rajonit dhe se ai mbështet çdo iniciativë të këtij lloji, përfshirë edhe nismën “Ballkani i Hapur”.

“Nuk kemi nevojë për një strategji të re integrimi. Duhet të investojmë dy herë më shumë energji në zbatimin e strategjisë që kemi tani”, ka shtuar ai.

Sipas përfaqësuesit të qeverisë amerikane shumica e mosmarrëveshjeve në rajon në vitet e fundit kishin të bënin me trajtimin dhe statusin e pakicave në rajon, qoftë trajtimi i kroatëve në Bosnje e Hercegovinë apo serbëve në Veri të Kosovës.

“Ne duhet të krijojmë një kompakt të ri që do t’i bëjë pakicat të ndjehen të përfaqësuara, të vlerësuara dhe të integruara, tha ai.

Sipas konstatimit të Escobar, progresi i fundit në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është produkt i unitetit të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në anën tjetër i deleguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po në këtë panel diskutimi në kuadër të Forumit Strategjik në Bled, deklaroi se blloku evropian është i gatshëm t’i pranojë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Momenti është aty dhe shtetet e dinë saktësisht se çfarë pritet prej tyre. Për Serbinë është shumë e rëndësishme që BE-ja të shohë përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Në panelin në fjalë pjesëmarrëse ishte edhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Sipas saj gjithë në këtë mesë pyetja kryesore për Ballkanin Perëndimor është nëse BE-ja është vërtet e gatshme t’i mbrojë vlerat e saja dhe të luftojë për parimet e saja.

“Ka shtete në Ballkanin Perëndimor që janë të gatshme të identifikohen plotësisht me vlerat evropiane”, ka thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore