Lajme

SHBA-të kundërshtojnë ndalimin “e përgjithshëm” të vizave për rusët


Autoritetet amerikane nuk mbështesin një ndalim të përgjithshëm të vizave për qytetarët rusë.

Kështu deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, duke iu referuar multimedialit “CNN”.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të donin të mbyllnin rrugët për azil dhe siguri për disidentët rusë ose të tjerët që janë të cenueshëm ndaj abuzimeve të të drejtave të njeriut. Ne e kemi bërë gjithashtu të qartë se është e rëndësishme të vihet një vijë midis veprimeve të qeverisë ruse dhe politikave të saj në Ukrainë dhe popullit të Rusisë”, u shpreh Price.

Zëdhënësi shtoi se SHBA-të “po punojnë me anëtarët dhe partnerët e aleancës për të vendosur sanksione, duke përfshirë kufizimet e vizave ndaj zyrtarëve të Kremlin-it dhe njerëzve të tyre”.

“Që nga 24 shkurti 2022, Shtetet e Bashkuara kanë marrë masa për të vendosur kufizime të vizave për gati 5 mijë njerëz në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës”, shtoi zyrtari amerikan.

Kreu i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kundërshtoi gjithashtu propozimin për ndalimin e hyrjes së rusëve në BE.

Ministrat e punëve të jashtme të Bashkimit Evropian do të diskutojnë kufizimet e vizave për rusët në sfondin e luftës në Ukrainë në një takim më 31 gusht.

Një numër vendesh evropiane që mbështesin më aktivisht këtë iniciativë kanë pezulluar tashmë dhënien e vizave Shengen për qytetarët e Federatës Ruse (Estoni, Letoni, Lituania, Republika Çeke), Finlanda planifikon të ulë numrin e vizave të lëshuara me 90 për qind.

Kancelari gjerman Olaf Scholz foli po ashtu kundër një ndalimi të përgjithshëm të dhënies së vizave për rusët.

Kjo, në mënyrë që të mos ndërlikojë jetën e kundërshtarëve të Kremlin-it që po ikin nga Rusia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore