Lajme

SHBA-të, Izraeli dhe shtetet arabe zgjerojnë bashkëpunimin pas “Samitit të Negevit”


Ministrat e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe katër qeverive arabe u zotuan të zgjerojnë bashkëpunimin ekonomik dhe diplomatik.

Kjo, pas një takimi të paprecedentë në shkretëtirën jugore të Negev-it në Izrael.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja amerikane “Washington Post”.

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken e përshëndeti takimin si treguesin më të fundit të një riorganizimi të marrëdhënieve në Lindjen e Mesme.

Sipas tij, ky takim mund të zgjerojë potencialin për paqen dhe zgjidhjen e konflikteve në të gjithë rajonin.

“Vetëm disa vite më parë ky takim do të ishte i pamundur të imagjinohej”, u shpreh fillimisht Blinken.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid, vërejti se vendet do të përpiqen ta bëjnë samitin një ngjarje vjetore.

“Takimi gjashtëpalësh në shkretëtirën jugore të Izraelit, i quajtur ‘Samiti i Negevit’, përfaqëson llojin e afrimit që Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar prej kohësh”, shkruan WP-ja.

Qeveritë arabe të pranishme falënderuan Izraelin për pritjen, por gjithashtu pohuan se duhet të bëjë përparim në zbatimin e një zgjidhjeje me dy shtete për palestinezët me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

“Mesazhi ynë duhet të jetë se ne jemi këtu për të mbrojtur vlerat tona, për të mbrojtur interesat tona”, tha ministri i jashtëm i Marok-ut, Nasser Bourita.

Ndërsa kryediplomati egjiptian Samekh Shoukry deklaroi se palët janë këtu për të qenë një “forcë paqeje”.

Zyrtarët izraelitë kanë shpresuar se ngjarjet e jashtme nuk do të largonin vëmendjen nga takimi.

Kjo, duke përfshirë vrasjen e dy policëve kufitarë izraelitë dhe sulmuesve të tyre të armatosur gjatë të dielës.

Hamasi vlerësoi sulmin dhe e lidhi atë me takimin e vendeve arabe në shkretëtirë.

Zyrtarët izraelitë të sigurisë i përshkruan sulmuesit si qytetarë palestinezë të Izraelit dhe simpatizantë të Shtetit Islamik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore