Lajme

SHBA-të i bëjnë presion Xi-së, të ndalojë ‘krimet e luftës’ të Putinit në Ukrainë


Një takim treditor po ndodh në Moskë mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping, ku pikërisht ndaj këtij të fundit, një presion i madh ka ardhur nga Amerika, lidhur me ndikimin që duhet të ketë për të shtyrë aleatin e tij famëkeq, të ndalojë “krimet e luftës” në Ukrainë.

Ditë më parë, Putin u akuzua nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për një vepër të tillë dhe ndaj tij tashmë, rëndon një urdhër-arresti mbi supe.

Jo shumë u përfol në takimin e parë mes “miqve të dashur” Xi dhe Putin, ku pjesa kryesore u ndal në planin kinez për paqen në Ukrainë dhe zgjidhjen e luftës sipas një modeli të pretenduar si “globalisht i pranueshëm”.

Takime të tjera dypalëshe priten po ashtu të martën e 21 marsit.

Por, për SHBA-të, kjo gjë nuk mjafton dhe një lider botëror si Jinping, duhet të ushtrojë më shumë presion ndaj Putinit, lidhur me ndalimin e luftës, siç deklaroi edhe zëdhënësi për shtyp i Këshillit të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby.

“Ne shpresojnë se presidenti Xi do të ushtrojë presion, për të ndaluar bombardimet në qytetet ukrainase, në spitale, shkolla, për të ndaluar krimet e luftës dhe për të tërhequr trupat e tij”, ravijëzoi Kirby gjatë një konference për shtyp.

Megjithatë, ka një shqetësim të madh real, se Pekini zyrtar në fakt, më së shumti po e ndihmon Rusinë, se sa po e ndëshkon për veprimet e ndërmarra.

Një tregues i tillë, është edhe ai i rritjes së tregtisë së naftës mes dy vendeve, ku Moska po gjen një treg të hapur dhe voluminoz për të çuar naftën e saj, shpesh të mbetur stok, për shkak të sanksioneve perëndimore.

Dyshime ka po ashtu se Xi, po e ndihmon Putinin në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me armatime. Por, këto mbeten akuza ende të pafaktuara nga shërbimet inteligjente.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore