Lajme

SHBA-të fusin në listën e zezë kompanitë kineze për mbështetjen e ushtrisë ruse


Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka vendosur pesë kompani kineze në listën e zezë të eksportit për shkelje të sanksioneve. Kjo sepse supozohet se kanë ofruar mbështetje për kompanitë ushtarake dhe të mbrojtjes ruse, para dhe gjatë pushtimit të Ukrainës.

Departamenti i Tregtisë i vendosi firmat kineze në “listën e entiteteve”, e cila në mënyrë efektive ndalon kompanitë amerikane të eksportojnë në to.

Kompanitë, të cilat nuk janë emra të njohur globalisht, janë Connec Electronic, King Pai Technology, Sinno Electronics, Winninc Electronic dhe World Jetta (HK) Logistics.

“Veprimi i sotëm dërgon një mesazh të fuqishëm për subjektet dhe individët anembanë globit se nëse kërkojnë të mbështesin Rusinë, SHBA-ja do t’i ndërpresë marrëdhëniet me ta”, tha Alan Estevez, nënsekretari i tregtisë.

Lista e zezë u njoftua pasi SHBA-ja po shqetësohet gjithnjë e më shumë për forcimin e lidhjeve midis Pekinit dhe Moskës, veçanërisht pasi presidenti kinez Xi Jinping, dhe ai rus Vladimir Putin, në shkurt nënshkruan një deklaratë që përshkruante partneritetin Kinë-Rusi si të “pa kufij”.

Gjatë dy muajve të fundit, Jake Sullivan, këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-ve dhe Lloyd Austin, sekretari i mbrojtjes, kanë paralajmëruar homologët e tyre kinezë se Washington-i do të ndërmerrte veprime të ashpra nëse Kina i jep Rusisë ndonjë pajisje ose ndihmë ushtarake.

Zyrtarët amerikanë thanë se nuk kishte prova se Kina kishte ofruar ndihmë ushtarake.

Departamenti i Tregtisë nuk e akuzoi qeverinë ose ushtrinë kineze të martën për furnizim me pajisje për ushtrinë ruse.

“Ne nuk e kemi parë Kinën t’i sigurojë Rusisë pajisje ushtarake ose shmangie sistematike të sanksioneve”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore