Shqipëria

Kim uron 246-vjetorin e pavarësisë duke theksuar marrëdhënien me Shqipërinë


“100-vjetori ynë dhe 246-vjetori i SHBA-ve është një moment festimi, ka kaq shumë që kemi arritur së bashku. Është gjithashtu reflektim dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj aspiratave tona si demokraci”.

Kështu është shprehur ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, teksa ka festuar pavarësinë e SHBA-ve në një ceremoni zyrtare ku mes të ftuarve ishte edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Në fjalën e saj Kim ka përshëndetur dhe falënderuar Metën për vlerësimin e tij ndaj popullit amerikan.

“Është privilegji im shumë i veçantë t’ju uroj mirëseardhjen në këtë tubim historik për të festuar 246-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe 100-vjetorin e miqësisë midis SHBA-së dhe Shqipërisë”, tha fillimisht Kim.

Sipas Kim Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria ndajnë shumë gjëra, por një nga gjërat e përbashkëta është: “shpresa”.

Image

“Shpresojmë në luftën tonë për pavarësi dhe sovranitet, dhe përpjekjen tonë të pamëshirshme për të ndërtuar një demokraci. Amerikanët dhe shqiptarët kanë duruar të dy zgjedhën e shtypjes – si nënshtetas kolonialë apo perandorakë, dhe për shqiptarët, përsëri, si viktima të diktaturës. Dhe ne të dy kemi kërkuar dhe kemi fituar lirinë”, theksoi Kim.

Përpos marrëdhënies me Shqipërinë, Ambasadorja amerikane u ndal te shteti i saj, i cili ka një Kushtetutë që fillon me pranimin se pushteti buron nga “ne njerëzit” dhe jemi “ne njerëzit” ata që shpallin synimin tonë “për të formuar një bashkim më të përsosur”.

“Nuk ka fjalë që të përshkruajnë në mënyrë më të famshme ose më të përshtatshme se kush jemi dhe kush dëshirojmë të jemi si komb”, vijoi Kim.

Për zyrtaren një shprehje e përsosur e ambicies demokratike është: “amerikanët nuk janë subjekte të një monarku apo diktatori, ne nuk jemi në pritje të komandave; ne nuk jemi thjesht spektatorë të ngjarjeve që shpalosen para syve tanë pasivë. Ne njerëzit, populli amerikan, këmbëngulëm që në momentet tona të para si komb që duhet të jetojmë me zërin aktiv, duke marrë përgjegjësi për veten dhe duke kërkuar llogari nga liderët që zgjedhim”.

Image

“’Ne njerëzit’, amerikanët dhe shqiptarët, mbetemi të ngarkuar me detyrën. për të çmuar, mbrojtur dhe forcuar demokracinë tonë jo vetëm për veten tonë, por për ata që vijnë pas nesh. Kërkon të jetojmë historinë, ta bëjmë historinë me zërin aktiv”, ravijëzoi Kim gjatë fjalës së saj.

Teksa e vendori theksin te 100-vjetori i marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe 30-vjetorin e përfundimit të komunizmit, “le t’i kujtojmë njëri-tjetrit rolin dhe përgjegjësinë solemne që të gjithë ne këtu duhet të ruajmë, mbrojmë, forcojmë, ndajmë demokracinë – demokracinë për të cilën të gjithë popujt tanë – amerikanë dhe shqiptarë – kanë luftuar kaq shumë”.

“Shpresoj që ne do të vazhdojmë të inkurajojmë njëri-tjetrin për të kapur historinë, për të jetuar historinë tonë, për të formësuar historinë tonë në zërin aktiv – në Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëri”, tha ndër të tjera Kim.

Në përfundim të fjalës së saj Kim falënderoi të ftuarit për pjesëmarrjen, ku ngriti dhe një gotë për ditëlindjen e 246 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për 100 vjet të miqësisë së qëndrueshme amerikano-shqiptare.

“Dhe – më e rëndësishmja – për të ardhmen! Gëzuar! Edhe një qind!”, e përmbylli në gjuhën shqipe ambasadorja Kim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore