Lajme

SHBA-të dhe Rusia në OKB kritikojnë Izraelin për vizitën e Ben Gvir-it në Al-Aksa


Këshilli i Sigurimit të OKB-së zhvilloi një diskutim urgjent të enjten në mbrëmje për vizitën e ligjvënësit të ekstremit të djathtë izraelit, Itamar Ben-Gvir në kompleksin e Tempullit/Al-Aksa.

Me këtë veprim ai shkeli status quo-në në vendin që është i shenjtë për hebrenjtë dhe myslimanët.

Këshilli u mblodh, pas një kërkese të Autoritetit Palestinez dhe Jordanisë, dhe me mbështetjen e anëtarëve të tjerë të këshillit – përfshirë Kinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në fillim të seancës, ambasadori i SHBA-ve në OKB, Robert A. Wood tha se SHBA-të janë të shqetësuara për rritjen e tensioneve mes Izraelit dhe palestinezëve.

Rusia tha gjithashtu se çdo shkelje e status quo-së në Jerusalem është e papranueshme.

“Ne e dimë se qeveria Netanyahu bën thirrje për ruajtjen e status quo-së në vendet e shenjta. Ne presim që qeveria të vazhdojë në këtë”, tha Wood.

I dërguari palestinez i OKB-së, Dr. Riyad H. Mansour, tha se delegacioni palestinez në OKB synon të mbajë konsultime të mëtejshme me përfaqësues nga vendet arabe dhe myslimane deri të premten.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, tha të martën se lëvizjet e Autoritetit Palestinez me OKB-në janë të koordinuara me Jordaninë dhe vendet e tjera arabe.

Zëdhënësi i ambasadës së SHBA-ve në Izrael theksoi se “Ambasadori Tom Nides ka qenë shumë i qartë në bisedat me qeverinë izraelite për çështjen e ruajtjes së status quo-së në vendet e shenjta të Jerusalemit”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Ned Price, tha në një konferencë se vizita e Ben-Gvir në Malin e Tempullit “ka potencial të përkeqësojë tensionet dhe të provokojë dhunë”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore