Lajme

SHBA-të dhe Kanadaja arrijnë marrëveshje për refuzimin e azilkërkuesve


Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja kanë arritur një marrëveshje për të refuzuar azilkërkuesit në pikat kufitare jozyrtare, sipas zyrtarëve.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau do ta shpallin paktin të premten e 24 marsit gjatë vizitës së Biden-it në Ottawa.

Marrëveshja pritet të lejojë zyrtarët në të dy anët e kufirit të kthejnë azilkërkues të tillë që shkojnë në të dy drejtimet.

Pala amerikane ka parë gjithashtu një rritje të kalimeve të emigrantëve atje nga Kanadaja.

Masa është pjesë e përpjekjeve për të kufizuar fluksin e emigrantëve në Roxham Road, një vendkalim jozyrtar midis shtetit të New York-ut dhe provincës së Quebec.

Si pjesë e marrëveshjes, Kanadaja do të krijojë një program të ri refugjatësh për 15 mijë migrantë që ikin nga persekutimi dhe dhuna në Amerikën Jugore dhe Qendrore, thanë zyrtarë amerikanë për “CBS News”.

Biden është në Ottawa, Kanada, për 24 orë për të folur për një sërë çështjesh ekonomike, tregtare dhe imigracioni me Trudeau.

Marrëveshja e migracionit është planifikuar të shpallet përpara se ai të kthehet në SHBA të premten.

Marrëveshja është një amendament i Marrëveshjes së Vendit të Tretë të Sigurt të të dy palëve të vitit 2004, e cila kërkon që migrantët të bëjnë një kërkesë për azil në vendin e parë të sigurt që arrijnë, pavarësisht nëse është SHBA apo Kanada.

Marrëveshja e re do të mbyllte një boshllëk në Marrëveshjen e Vendit të Tretë të Sigurt që e pengonte Kanadanë të largonte ata që kalonin kufirin në pikat e kalimit jozyrtar.

Zbrazëtia kishte bërë që emigrantët të hynin në Kanada nga vende si rruga Roxham.

Autoritetet e qytetit të New York-ut muajin e kaluar thanë se po siguronin bileta autobusi falas për migrantët që të udhëtonin drejt kufirit të SHBA-ve me Kanadanë.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore