Kosova

SHBA-të dhe Britania e Madhe paralajmërojnë shtetasit e vet: Kujdes në Kosovë, protesta të dhunshme dhe sulme potenciale terroriste


Ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, për arsye sigurie kanë këshilluar qytetarët e tyre të kenë kujdes të shtuar nëse planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, përkatësisht në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

“Zyra për Punë të Jashtme, Commonwealth dhe Zhvillim këshillon të pezullohen të gjitha udhëtimet, përveç atyre thelbësore, në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës”, thuhet në deklaratën paralajmëruese të Qeverisë së Britanisë së Madhe.

Serbët lokalë në këto zona ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët në disa lokacione të ndryshme që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak – pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet për përfshirje në sulme terroriste kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Po ashtu, gjatë ditëve të fundit ka pasur të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave dhe shok-bombave, ndërsa gjatë patrullimit, një zyrtar i Policisë së Kosovës u plagos lehtë nga grupe të panjohura deri më tani nga autoritetet kosovare.

Prandaj, u bëhet apel qytetarëve britanezë që “të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin tubimet publike, veçanërisht rreth zonës së Urës së Ibrit që ndan Mitrovicën veriore dhe jugore”.

Veç paralajmërimeve për përplasjet e dhunshme të protestuesve, Britania e Madhe paralajmëron edhe për potencialitetin e sulmeve terroriste.

“Terroristët ka të ngjarë të përpiqen të kryejnë sulme në Kosovë. Sulmet mund të jenë pa dallim, duke përfshirë vende të frekuentuara nga të huajt, tubime të mëdha publike dhe ngjarje kulturore. Terroristët mund të synojnë objekte fetare, duke përfshirë kishat”.

Ndërkaq, në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit, thuhet se qytetarët amerikanë duhet ta rikonsiderojnë udhëtimin drejt Kosovës, veçanërisht në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potoku dhe Zveçan sepse “terroristët mund të sulmojnë pa paralajmërim”.

“Terroristët synojnë pikat turistike, qendrat e transportit, tregjet/qendrat tregtare, objekte të qeverisjes, hotele, klube, restorante, vende kulti, parqe, ngjarje të mëdha sportive dhe kulturore, institucione arsimore, aeroporte dhe të tjera hapësira publike”.

Gjithashtu, vizitorët duhet të “shmangin protestat dhe të qëndrojnë vigjilent në vendet e frekuentuara nga perëndimorët”, ndërsa rekomandohet të jenë vigjilentë dhe të monitorojnë mediat lokale për ngjarjet e fundit.

“Ndiqni Departamentin e Shtetit në Facebook dhe Twitter”, këshillohen qytetarët teksa shtohet se “Qeveria e SHBA-së ka aftësi të kufizuar për të ofruar shërbime emergjente për qytetarët amerikanë në veri të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore