Tregjet

SHBA, sanksione ndaj shkëmbimit të kriptove në luftën kundër sulmeve kibernetike


Thesari amerikan ka vendosur sanksione ndaj një shkëmbimi kriptomonedhash, për të cilat ka pohuar se i lejoi hacker-at ransomware të pastrojnë pagesat e marra nga viktimat.

Kjo shënon një nga ndërhyrjet më të rëndësishme deri më tani kundër një grupi digjital të pasurive.

E përditshmja, “Financial Times”, tregon se së bashku me FBI-në, Zyra e Thesarit të SHBA-ve për Kontrollin e Aseteve të Huaja ka ndërmarrë kufizime për një shkëmbim të quajtur SUEX.

Sipas zyrës, ky shkëmbim “lehtësoi aktivitetet e paligjshme për përfitimet e veta të paligjshme” në mënyrë të qëllimtë.

Lidhur me sanksionet e marra, ato bllokojnë qytetarët amerikanë dhe kompanitë që të bëjnë transaksione me grupin, me dënime që përfshijnë gjoba.

Mirëpo, lëvizja shënon një kufi të ri në luftën e qeverisë kundër një fatkeqësie të sulmeve ransomware, në të cilat hacker-at kapin sistemet ose të dhënat e një kompanie vetëm për t’i lëshuar ato kur paguhet një shpërblim.

Prej kohësh, ekspertët e sigurisë kibernetike kanë bërë thirrje për barriera më të ashpra për të ndaluar kriminelët kibernetikë që të marrin dhe më pas të pastrojnë pagesat e shpërblimit, të cilat zakonisht janë mundësuar nga përdorimi i kriptomonedhave të vështira për t’u gjetur.

Referuar Thesarit, afro 40 për qind e transaksioneve të SUEX-it janë të lidhura me aktorë të paligjshëm, ndërsa kompania ka lehtësuar pastrimin e fondeve nga më shumë se tetë variante ransomware.

Te faqja e internetit e SUEX-it shkruhet se kompania është themeluar në Pragë, në Republikën Çeke, ndërsa në faqen e saj në LinkedIn shkruhet se “përdoret nga mijëra banorë të Rusisë, Evropës, Azisë, Amerikës së Jugut dhe asaj të Veriut”.

Sipas grupit të inteligjencës kripto, TRM Labs, SUEX-i funksionon si një shkëmbim “i futur”, çka do të thotë se në vend që të veprojë si një kujdestar i drejtpërdrejtë i fondeve kripto të klientëve të tij, ai thjesht siguron një ndërfaqe të bërë me porosi gjatë përdorimit të shërbimeve të një shkëmbimi më të madh.

TRM Labs tregon se shkëmbimi, i cili duket se merret me transaksione prej 10 mijë dollarësh ose më shumë, ka pranuar klientë të rinj në një sistem referimesh nga ndërmjetës të besuar.

Dhe se aksionari i saj më i madh është një shtetas rus.

Sulmet ransomware kanë shpërthyer në masë pasi një zhvendosje e lidhur me pandeminë në punën në distancë i ka lënë bizneset më të prekshme ndaj ndërhyrësve.

Ky trend u vu në qendër të vëmendjes në fillim të këtij viti nga disa sulme të guximshme dhe tejet shkatërruese.

Thesari përditësoi edhe këshillën që viktimat të zbulojnë shkeljet në zbatimin e ligjit dhe agjencitë e tjera amerikane

Udhëzimi do të përditësohet për të deklaruar në mënyrë të qartë se qeveria dekurajon pagimin e shpërblimeve, siç është përshkruar në deklaratat publike në të kaluarën.

Ndërkohë, Thesari bëri me dije se kishte në plan të përdorte më mirë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe forume shumëpalëshe si G7 dhe Kombet e Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore