Lajme

SHBA rikthehet në marrëveshjen e Parisit për klimën


Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë bashkuar marrëveshjes së Parisit për klimën, ndërsa administrata e Presidentit Joe Biden, planifikoi shkurtime të emetimit të gazit gjatë tre dekadave të ardhshme.

Që nga nënshkrimi i paktit në vitin 2015, nga 200 vende, SHBA-ja ishte i vetmi vend që u shkëput nga traktati.

I dërguari amerikan për klimën John Kerry do të marrë pjesë në një aktivitet virtual të premten për të shënuar rihyrjen e SHBA-së në marrëveshje, përfshirë paraqitjet me ambasadorët e Britanisë, Italisë, Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, si dhe të dërguarin e OKB-së mbi klimën, Michael Bloomberg.

Biden ka premtuar një rrugë drejt uljes deri në zero të emetimit të gazrave në atmosferë nga ana e SHBA-së deri në vitin 2050. Shkencëtarët kanë thënë se qëllimi është në përputhje me atë që nevojitet, ndërsa theksojnë gjithashtu se emetimet globale duhet të përgjysmohen deri në vitin 2030 për të parandaluar ndikimet edhe më shkatërruese në ngrohjen globale.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, është shprehur se ndryshimi i klimës dhe diplomacia shkencore nuk do të konsiderohet si dytësore.

Kerry së bashku me këshilltaren e Biden-it për klimën, Gina McCarthy, po hartojnë rregullore dhe iniciativa stimuluese të reja që synojnë shpejtimin e procesit të kalimit nga lëndët djegëse fosile tek energjia e pastër.

Më shumë se 120 vende, përfshirë emetuesin më të madh në botë, Kinë, kanë premtuar të kenë emetime neto zero të karbonit.

Presidenti Joe Biden ka deklaruar me 21 janar pas ardhjes në presidencë se do të rikthejë SHBA-në  në marrëveshjen klimatike të Paris-it. Akordi i firmosur nga 195 vende, për të shmangur katastrofa natyrore, është ndër më të rëndësishmit e dekadës së shkuar.

Lëvizja e Biden-it përfaqëson një hap pozitiv në përmirësimin e marrëdhënieve midis SHBA-së dhe pjesës tjetër të botës. Refuzimi i marrëveshjes nga ana e Trump-it, solli shqetësime të shumta përsa i përket qasjes amerikane ndaj çështjeve klimatike.

Anulimi i një projekti gazsjellës, të quajtur Keystone XL, ka qenë një tjetër hap i ndërmarrë nga Biden-i. Ai ka urdhëruar gjithashtu fillimin e procesit të rregullave të reja mjedisore. Shumica e akteve të administratës Trump do të rishikohen.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore