Lajme

SHBA/ Raporti i inteligjencës: Rusia influencoi zgjedhjet 2020


Rusia ka përdorur aleatët e Donald Trump-it për të influencuar zgjedhjet e vitit 2020. Qëllimi, ka qenë “denigrimi” i figurës së Joe Biden-it”.

Kjo thuhet në raportin e Inteligjencës Amerikane lidhur me influencën ruse gjatë fushatës zgjedhore presidenciale. “Denigrimi i Biden-it dhe mbështetja për Trump-in kanë qenë qëllime të kësaj fushate ruse”, shkruhet në raport.

Një shtytje e madhe dizinformative me shënjestër Biden-in u ndërmor nga aleatët e Trump-it gjithashtu.

Sërish sipas raportit, objektivat e Rusisë nuk ishin të kufizuara vetëm në dëmtimin e Biden-it. Një përpjekje ka pasur edhe për të krijuar frikë në perceptimin e fushatës nga publiku dhe për të krijuar ndasi e përçarje politike në SHBA.

Ndër të tjera, raporti nënvizon edhe influencën e jashtme në qasjet ndaj Rusisë dhe Iranit. Të dyja këto, u përpoqën të krijojnë destabilitet në SHBA. Nga Kremlini ndërkohë janë promovuar edhe teori konspirative për grupime të ndryshme në Amerikë.

Ndërkohë që raporti përmbyllet me pranimin e ndërhyrjeve nga jashtë, për sa i përket aspektit teknik, asgjë nuk është prekur. Zgjedhjet kanë qenë të rregullta dhe votat janë regjistruar në mënyrë korrekte. E njëjta gjë edhe me votat nëpërmjet postës.

Këto të dhëna i japin fund një herë e mirë pretendimeve se zgjedhjet në SHBA janë cenuar.

Akuza të shumta ka pasur nga ish-presidenti Trump mbi vjedhjen e zgjedhjeve. Kryesisht, ai ka kritikuar procesin e votimit me postë si të manipuluar.

Nga administrata Biden ndërkohë, pritet të vijnë sanksionime ndaj aktorëve që janë përpjekur të ndërhyjnë dhe të influencojnë zgjedhjet. Mendohet se vendet që do të ndëshkohen janë Rusia, Kina dhe Irani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore