Kosova

SHBA nuk pranon 16 afganë që po qëndrojnë në Kosovë


Pjesë nga kampi Bondsteel në Kosovë

Jo të gjithë afganëve që aktualisht po qëndrojnë në Kosovë do të mund të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Administrata Biden është duke planifikuar të njoftojë disa afganë që aktualisht po presin në bazën e Ushtrisë së SHBA-së në Kosovë, se do t’u mohohet hyrja në SHBA, kanë njoftuar dy zyrtarë të administratës për Axios.

Përfundimisht për 16 refugjatë afganë që gjenden në Kampin Bondsteel në Kosovë. Është hera e parë që administrata Biden u ka mohuar hyrjen refugjatëve afganë që janë vendosur në shtete tjera në pritje për të marrë lejen për të hyrë në SHBA.

Këto rrjedhin nga shqetësimet për siguri, apo identifikimit të lidhjeve të refugjatëve me talibanët apo me organizata terroriste.

Sipas “Axios”, Departamenti i Shtetit po mendon dy opsione për afganët që u mohohet hyrja në SHBA.

Njëra është të punohet me Talebanët për të lehtësuar kthimin e tyre në Afganistan dhe e dyta, të bindë shtetet tjera që të pranojnë afganët.

Zëdhënësi i Këshillit Nacional të Sigurisë në SHBA ka thënë për Axiosin se të gjithë afganët që kanë ikur do t’i nënshtrohen një procesi rigoroz kontrolli.

Procesi kryhet nga inteligjenca, policia dhe po ashtu profesionistët kundër-terrorizëm në Departamentin e Mbrojtjes dhe Sigurisë.

“Derisa shumica e afganëve të evakuuar kanë kaluar këtë proces, një numri të vogël të individëve u është mohuar hyrja dhe është shembull se sistemi punon si duhet”, tha zëdhënësi.

“Të gjithë këtu po presin të shkojnë në SHBA”, thotë Mohammad Arif Sarari, që ka punuar me CIA-n e më pas edhe kishte shërbyet si shef i inteligjencës afgane.

Ai ka biseduar nëpërmjet telefonit të dielën nga Kampi Bondsteel.

“Kemi menduar se ndoshta do të duhet tre apo gjashtë muaj – por jo nëntë muaj. Ekipi na ka intervistuar ndoshta pesë-gjashtë herë. Nuk jemi të lirë, nuk mund të dalim jashtë”.

Disa afganë në Bondsteel janë ankuar për shëndet jo të mirë dhe kushte jo të mira në kamp, kishte raportuar all Street Journal.

SHBA-ja kishte arritur marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për të pranuar përkohësisht refugjatë afganë.

Në Kampin Bondsteel janë afro 100 refugjatë.

Sipas marrëveshjes së arritur mes Kosovës e SHBA-së, disa afganëve që u mohohet hyrja në SHBA duhet të largohen nga Kosova deri në shtator.

Departamenti i Shtetit të SHBA-së do të njoftojë autoritetet e Kosovës për vendimin.

Do të njoftojë për afganët që nuk do të kenë të drejtë të hyjnë në SHBA.

Raportohet se 16 refugjatë të tillë janë në Kampin Bondsteel.

Më 5 nëntor, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka bërë të ditur përmes rrjetit social Twitter se rreth 100 afganë që ishin strehuar në Kosovë tashmë janë nisur drejt SHBA-së.

Ndryshe, më 16 shtator mbi 100 afganë janë nisur nga Kosova për Britaninë e Madhe.

Më 19 shtator janë larguar edhe 51 shtetas afganë nga Kosova.

Afganët që po qëndrojnë në Kosovë janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikanë si dhe forcat e tjera aleate të NATO-s, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.

Afganët duke u larguar nga Kosova

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e veriut, në Kosovë, afganët kanë rregulla strikte të lirisë së lëvizjes, ata nuk e kanë të lejuar të dalin nga kampet ku janë vendosur.

Në Kosovë të strehuar kanë qenë 683 shtetas afganë.

Ambasada britanike kishte falënderuar dhe ka thënë se i është jashtëzakonisht mirënjohës për bujarinë e Kosovës në pritjen e këtyre njerëzve të cenueshëm dhe për hapin përpara për të mbështetur NATO -n në kohën e nevojës.

Grupi i parë i afganëve në Kosovë kishte arritur më 29 gusht, ku raportohej të ishte një grup prej 111 personave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore