Bota

SHBA/ Ngërç në paketën e ndihmës ekonomike


Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, takon senatorët republikanë për të diskutuar paketën ekonomike

Paketa 1.9 trilionë dollarëshe e kërkuar nga demokratët amerikanë përbën problem për kalimin e saj në Senat. Republikanët, kërkojnë një shumë më të ulët të injektuar në ekonominë amerikane.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u takua me senatorët republikanë për të diskutuar planin e Shtëpisë së Bardhë në lehtësimin e pasojave të pandemisë. Dhjetë republikanë janë të gatshëm të bashkëpunojnë, por vetëm nëse shifra e injektuar në ekonomi ulet ndjeshëm.

Sipas raportimeve të agjencive amerikane, senatorët republikanë propozojnë një paketë tre herë më të vogël. Vetëm kështu mund të arrihet një votim bipartizan sipas tyre.

Kongresmenët demokratë ndërkohë, po e shtyjnë kalimin e propozimit të administratës Biden. Kalimi në Kongres është i mundur, pasi demokratët kanë një shumicë më të fortë. Përsa i përket Senatit, vota e zëvendëspresidentes, Kamala Harris, është ajo që bën dallimin.

Vetë Biden-i është treguar optimist për nisjen e bisedimeve. Përpara takimit, ai i kishte referuar përfaqësueses republikane, Susan Collins, se ishte “i paduruar” për të dëgjuar propozimet e tyre.

Pas përfundimit të takimit me dyer të mbyllura, të dyja palët e quajtën si një seksion produktiv. Collins, theksoi se “të gjithë janë të shqetësuar për familjet amerikane”. “Duhet të kujdesemi për shëndetësinë, vaksinimin dhe ekonominë”, shtoi ajo.

Kontradikta ka pasur nga një tjetër i pranishëm në takim, senatori republikan, Bill Cassidy”. “Presidenti nuk lëshoi pe në asgjë”, cilësoi ai. “Nëse duam të ecim përpara si shtet, duhet të punojmë më shumë për kompromis”.

Këtë fakt e pohoi edhe zëdhënësja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki. “Presidenti nuk do të lëshojë shumë terren. Por, kjo gjë, nuk do të thotë se ai nuk do të punojë shpejt për të zgjidhur krizën”.

Paketa e ndihmës në SHBA është një ndër çështjet më jetësore me të cilat Biden-i po përballet, dy javë pas marrjes së presidencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore