Lajme

SHBA – Mundësi të kufizuara për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Supreme mbi abortin


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka sjellë sërish në vëmendje kritikat e tij ndaj Gjykatës Supreme.

Ato vijnë një ditë pasi gjykatësit kanë dhënë vendimin historik, sipas të cilit është rrëzuar ai që ka garantuar një të drejtë kushtetuese mbi abortin për gati gjysmë shekulli.

“Gjykata e Lartë ka marrë disa vendime të tmerrshme”, ka thënë Biden.

Më tej, presidenti ka shprehur se vendimi i marrë “është tejet i dhimbshëm dhe shkatërrues për shumë amerikanë”, duke u zotuar se administrata e tij do të përqendrohet në mënyrën se si shtetet e zbatojnë vendimin.

Por Shtëpia e Bardhë ka mundësi të kufizuara, duke i lënë ekspertët kushtetues dhe ligjorë të paralajmërojnë se nuk ka asnjë mënyrë afatshkurtër jashtë ligjit të statutit për të rivendosur garancitë federale për të drejtën e gruas për abort.

Kjo pasi Gjykata Supreme amerikane e rrëzoi vendimin historik “Roe vs. Wade”.

Tani për tani, mundësitë për të kundërshtuar vendimin e gjyqtarëve ose për të riparaqitur argumentet e ligjit kushtetues të bazuara në të drejta të barabarta, janë të kufizuara.

“Jemi në një luftë të gjatë, të ngatërruar, kaotike dhe, për sa i përket vuajtjes njerëzore, një luftë tmerrësisht të kushtueshme”, ka thënë profesori i të drejtës kushtetuese në Harvard, Lawrence Tribe.

Ai ka treguar se mund të duhen breza për të rivendosur plotësisht të drejtat e abortit, por mund të ketë mundësi për të minimizuar efektet e vendimit.

Një prej tyre mund të jetë që Kongresi t’i japë kompetenca Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore ose Administratës së Ushqimit dhe Barnave për të anashkaluar ligjet e shtetit.

Kjo çështje doli kur prokurorja e Përgjithshme, Merrick Garland, pohoi në një deklaratë se shtetet nuk mund të ndalojnë mifepristonin, një ilaç që përdoret për abortin, bazuar në mosmarrëveshjet me qeverinë federale për sigurinë dhe efikasitetin e tij.

Mifepristoni dhe misoprostol, ilaç tjetër i përdorur për të nxitur abortin, janë miratuar për përdorim në 10 javët e para të shtatzënisë.

Por, disa shtete kanë miratuar legjislacionin për ta bërë të paligjshme që mjekët të japin medikamente.

Garland ka thënë se Departamenti i Drejtësisë “mbështet fuqimisht përpjekjet e Kongresit për të kodifikuar të drejtat riprodhuese të amerikanëve, gjë që ruan autoritetin për ta bërë”.

Një rrugë që mund të jetë më e frytshme në riparimin e së drejtës për abort lidhet me kushtetutat shtetërore që kanë mbrojtjen e tyre rreth lirisë dhe barazisë.

“Është e mundur që në disa shtete të ketë gjykata shtetërore më liberale, progresive ose pro barazisë gjinore, të cilat do ta interpretonin kushtetutën e shtetit sikur t’u jepte më shumë të drejta grave se sa sipas kushtetutës federale”, ka thënë Tribe.

Teksa qeveritë federale dhe disa shtete punojnë për të kapërcyer pengesat e reja ligjore, kompanitë private kanë sinjalizuar se do të përpiqen të kapërcejnë hendekun.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore