Bota

SHBA/Konflikt me armë në hyrjen e dhomës së Kongresit amerikan


Një konflikt i armatosur midis oficerëve të policisë dhe protestuesve ka ndodhur në hyrjen e dhomës së Kongresit në SHBA.

Pamjet tregojnë një grup të efektivëve të policisë që kanë drejtuar armën drejt derës. Nga dera, duket qartë një dorë e cila mban një pistoletë.

Një ligjvënës amerikan, ka pohuar për CNN-in, se dhoma e Kongresit është evakuar menjëherë pas ngjarjes. “Ka pasur një konflikt me armë”, deklaroi ligjvënësi. “Policia i ka drejtuar armët dikujt që po përpiqej të shpërthente derën”.

Qindra protestues zaptuan ndërtesën e Capitol-it në SHBA, në çastin kur Senati dhe Kongresi po kryenin certifikimin e zgjedhjes së Joe Biden si presidenti i ri i SHBA-së.

Brenda ndërtesës, janë dëgjuar disa herë të shtëna armësh. Një grua ka mbetur e plagosur rëndë. Më vonë është raportuar se gruaja ka ndërruar jetë nga plagët e marra.

Puna e Senatit dhe Kongresit u ndërpre pas mësymjes së godinës.

Protestuesit filluan  bastisjen e Capitol-it pas deklaratave të Trump se “republikanët nuk duhet të pranojnë vjedhjen e votave që ka ndodhur në zgjedhjet presidenciale amerikane”.

Kjo është hera e parë në 200 vite që Capitol-i “pushtohet” nga populli. Hera e fundit që ka pasur konflikt të armatosur brenda institucionit, ka qenë viti 1812.

Protestat në SHBA kanë shokuar gjithë opinionin publik mbarëbotëror./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore