Lajme

SHBA kërkon nga BeH të bëjë hetime se kush i lavdëroi kriminelët e luftës në Banja Luka


Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) u kanë bërë thirrje autoriteteve federative të Bosnjës dhe Hercegovinës (BeH) që të hetojnë glorifikimet dhe lavdërimet e kriminelëve të luftës që u bënë në fundjavën e kaluar në Republika Srpska ku kishin për synim të kthyerit në qytetet ku jo-serbët u dëbuan gjatë luftës 1992-1995.

“I bëjmë thirrje institucioneve kompetente që pa vonesë t’i hetojnë këto akuza dhe të thërrasin përgjegjësit para përgjegjësisë”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, përcjell mediumi boshnjak Oslobodjenje.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për raportet e gjuhës së urrejtjes, glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe incidenteve provokuese që synojnë të kthyerit në entitetin Republika Srpska gjatë fundjavës,” është thënë tutje nga zëdhënësi i DSH-së.

Festimi i së dielës së 9 janarit përfshinte një paradë të policisë së armatosur nëpër qytetin e Banja Luka-s.

Videot e postuara në mediat sociale tregojnë pjesëmarrësit duke kënduar këngë duke festuar luftën, duke përfshirë një që liston qytetet ku jo-serbët u masakruan dhe u dëbuan, raporton Reuters.

Në përkujtim morën pjesë thuajse i tërë kabineti qeveritar i Serbisë, i udhëhequr nga kryeministrja, Ana Brnabiç, diplomatë rusë dhe kinezë.

Një zëdhënës tjetër i Shtëpisë së Bardhë në një koment për praninë e këtyre zyrtarëve në këtë festë ka thënë se derisa zyrtarët rusë dhe kinezë “e konsiderojnë të përshtatshme të marrin pjesë në ceremoni destabilizuese”, Shtetet e Bashkuara dhuruan 96 mijë doza të vaksinës Covid-19 në Bosnje dhe Hercegovinë të martën e 11 janarit, përcjell Oslobodjenje.

Ndërsa të hënën me 10 janar, Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj ceremonisë së mbajtur, duke thënë se udhëheqja Republika Srpska rrezikon sanksione dhe humbje të ndihmës nëse vazhdojnë të nxisin tensionet.

Një javë më parë, Uashingtoni zyrtar ka vu sanksione ndaj Millorad Dodikut për “veprimtaritë destabilizuese dhe korruptive dhe përpjekjet për të prishur” Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit.

Festimi në Republika Srpska e njohur si dita e këtij entiteti është shpallur si festë anti-kushtetuese në BeH.

Përkatësisht, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, festimi i 9 janarit është antikushtetues sepse diskriminon grupet e tjera fetare dhe etnike.

Më 9 janar të vitit 1992, serbët lokal në territorin e tanishëm të Republika Srpska-s kishin shpallur këtë territor të pavarur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore