Aplikacione

SHBA kërcënon të ndalojë TikTok-un nëse pronarët kinezë nuk heqin dorë


Administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka kërcënuar se do të ndalojë TikTok-un në SHBA, nëse pronarët kinezë të kompanisë nuk heqin aksionet e tyre në të.

Të paktën kështu rezulton nga raportimet e deritanishme.

Lëvizja, e raportuar për herë të parë nga “Wall Street Journal”, është më dramatike në një seri përshkallëzimi nga zyrtarë dhe ligjvënës amerikanë, të nxitur nga frika se të dhënat e përdoruesve të SHBA-ve të mbajtura nga kompania mund t’i kalojnë qeverisë së Kinës.

Po ashtu vjen në mes të një reagimi global ndaj aplikacionit popullor mbi shqetësimet në lidhje me potencialin e spiunimit kinez, me vendet duke përfshirë Britaninë e Madhe, Kanadanë dhe Australinë së fundmi duke lëvizur për të ndaluar aplikacionin nga telefonat qeveritarë.

Tanimë, SHBA-të kanë ndaluar TikTok-un në pajisjet e qeverisë federale, por kjo është hera e parë nën administrimin e Biden-it që kërcënohet një ndalim i mundshëm mbarëkombëtar i TikTok-ut.

Sakaq, çdo ndalim i SHBA-ve do të përballej me pengesa të mëdha ligjore. Paraardhësi i Biden-it, Donald Trump, ishte përpjekur ta ndalonte TikTok-un në vitin 2020, por u bllokua nga gjykatat.

Zëdhënësi i kompanisë, Brooke Oberwetter, ka thënë se kompania kishte dëgjuar së fundi nga komiteti i udhëhequr nga Thesari i SHBA-ve për investimet e huaja (CFIUS), i cili kërkoi që pronarët kinezë të aplikacionit të shisnin aksionet e tyre dhe se përndryshe ata do të përballeshin me një ndalim të mundshëm të aplikacionit video në SHBA.

TikTok-u është një nga rrjetet sociale më të njohura në botë me më shumë se 100 milionë përdorues amerikanë.

Sipas raportimeve, 60 për qind e aksioneve të ByteDance janë në pronësi të investitorëve globalë, 20 për qind nga punonjësit dhe 20 për qind nga themeluesit.

CFIUS, një organ i fuqishëm i sigurisë kombëtare, në vitin 2020 kishte rekomanduar njëzëri që ByteDance të largonte TikTok-un.

Lëvizja vjen pasi shefi ekzekutiv i TikTok-ut, Shou Zi Chew, do të paraqitet para Kongresit të SHBA-ve javën e ardhshme.

TikTok-u dhe CFIUS kanë negociuar për më shumë se dy vjet për kërkesat e sigurisë së të dhënave. TikTok-u ka thënë se ka shpenzuar më shumë se 1.5 miliardë dollarë në përpjekjet rigoroze të sigurisë së të dhënave dhe hedh poshtë akuzat për spiunazh.

Po ashtu ka pohuar se “mënyra më e mirë për të adresuar shqetësimet në lidhje me sigurinë kombëtare është me mbrojtjen transparente, me bazë në SHBA të të dhënave dhe sistemeve të përdoruesve në SHBA, me monitorim dhe verifikim të fuqishëm nga palët e treta”.

Lajmi për një ndalim të mundshëm në SHBA ka pasuar raportimet e kësaj jave se Britania e Madhe po ecën përpara me planin për të ndaluar aplikacionin në telefonat celularë të qeverisë.

Sakaq, Komisioni Evropian ka njoftuar një ndalim të ngjashëm muajin e kaluar dhe Rishi Sunak la të kuptohej se ai mund të ndiqte shembullin, duke thënë se do të merrte “çfarëdo hapi të nevojshëm” për të mbrojtur sigurinë e Britanisë së Madhe.

Njoftimi për një ndalim të mundshëm mund të vijë që të enjten, kanë thënë burimet për “The Guardian”.

Bisedimet për kufizimet në të gjithë globin janë përshkallëzuar javët e fundit pas lajmeve për balonën spiune kineze që u gjet duke fluturuar mbi SHBA.

Skandali bëri që një komitet i Kongresit të SHBA-ve të ecë përpara me legjislacionin që do të fuqizonte presidentin amerikan të ndalonte aplikacionin.

Mes shqyrtimit në rritje, TikTok-u në fillim të këtij muaji njoftoi një plan sigurie të të dhënave që thoshte se do të mbronte informacionin e përdoruesve në të gjithë Evropën.

Ky plan, i quajtur Project Clover, përfshin ruajtjen e të dhënave në serverë në Irlandë dhe Norvegji, me një kompani IT-je të palëve të treta që verifikon çdo transferim të të dhënave jashtë Evropës.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore