Bota

SHBA/ Joe Biden betohet si Presidenti i 46-ë i SHBA-së


 “Do të udhëheq jo me shembullin e fuqisë, por me fuqinë e shembullit. Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Kjo është ajo, që na bën të gjithëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Joseph R. Biden është zyrtarisht presidenti i 46-ë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fjalimin e parë si president, Biden-i vuri theksin tek bashkimi, si e vetmja rrugë për të kthyer SHBA-në “në forcën e parë të së mirës në botë”.

“Ditë më parë dhuna donte të shkulte themelet e demokracisë. Sot jemi një komb, një shtet, të bashkuar”, theksoi Biden. “Duhet t’i japim fund kësaj ndasie. Mund t’ia dalim nëse hapim shpirtin tonë, në vend që të mbyllim zemrat. Do t’ia dalim së bashku”.

Presidenti i ri i SHBA-së, theksoi se Amerika i ka përballuar të gjitha sfidat. Ai shtoi se “demokracia amerikane ka qenë e brishtë gjatë këtyre viteve”. “Zgjedhja ime nuk është fitore personale, por fitore e kauzës. Fjala e popullit u dëgjua. Fitoi demokracia”.

“Ekstremizmi, sëmundjet, papunësia, mposhten vetëm me bashkim”, imponoi Biden. “Terrorizmi brenda nesh duhet luftuar dhe mposhtur. E vetmja rrugë është bashkimi. Bashkimi! Gjithë shpirti im, është për këtë kauzë”.

Ai kërkoi të mbahej një minutë heshtje edhe për mbi 400 mijë viktimat, që Covid-19, ka shkaktuar që prej fillimit të pandemisë. “Kemi më shumë vdekje se sa në Luftën e Dytë Botërore. Pak njerëz në histori, kanë qenë në vështirësinë tonë. Pandeminë e përballojmë të gjithë bashkë”, deklaroi presidenti.

“Çfarë na bashkon?”, pyeti Biden-i. “Mundësitë, siguritë, liria, dinjiteti, respekti, e vërteta. Këto na bëjnë çfarë jemi. Jo gënjeshtrat!”.

“Ju jap fjalën se do të mbroj kushtetutën, demokracinë, Amerikën dhe të gjithë ju. Së bashku do të shkruajmë historinë amerikane të shpresës, jo të frikës. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përmbylli Biden./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore