Lajme

SHBA-Japoni, front dypalësh kundër Kinës


Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, është dakordësuar me kryeministrin japonez, Yoshihide Suga, mbi një plan të përbashkët për zhvillimin e teknologjisë 5G.

Ky plan vjen si kundërpërgjigje ndaj influencës kineze dhe veprimeve agresive në rajonin e Indo-Paqësorit.

Ndër të tjera, ky shihet edhe si një shans i mirë për të rikthyer marrëdhënie të shëndetshme SHBA-Japoni. Nën drejtimin e amerikanëve nga Donald Trump, jo pak herë këto relata u cenuan.

Ngushtica e Taivanit ka qenë gjithashtu pjesë e bisedimeve. Fronti amerikano-japonez është i përqendruar në stabilitetin e rajonit. Pala kineze ndërkohë, ka rritur prezencën ushtarake në ngushticë.

“Sot, kryeministri Suga dhe unë ritheksuam bashkërendimin e plotë të aleancës midis vendeve tona dhe mbi siguritë kombëtare”, deklaroi Biden-i në një konferencë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë.

“Jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të përballur sfidat kineze. Jemi të përqendruar në probleme si ai i detit të Kinës Lindore, Kinës Jugore, apo edhe në vetë çështjen e Koresë së Veriut”.

Takimi u quajt i suksesshëm nga të dyja palët.

Këtë e konfirmoi edhe kryeministri japonez.

Por, pala kineze, u kundërpërgjigj menjëherë. Nga ambasada kineze në Washington, doli një prononcim ku çështjet e Taivanit, Hong Kong-ut apo rajonit Xinjuang, “janë çështje të brendshme të Kinës”.

Sipas tyre madje, qëllimet e këtij takimi po shkojnë përtej stabilizimit të raporteve dypalëshe.

Rikthimi i frontit Washington-Tokyo, mund të nisë me sfida të drejtpërdrejta ndaj Pekinit zyrtar.

Sfida, ndaj të cilave duket se këta të fundit, nuk sprapsen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore