Bota

SHBA-ja, politikë “durimi strategjik” ndaj Kinës


Administrata e presidentit, Joe Biden, do të miratojë me Kinën një politikë të “ durimit strategjik”.

Jen Psaki, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë u shpreh se “ajo që është  parë gjatë viteve të fundit është se Kina po zhvillohet si më autoritare brenda vendit dhe më këmbëngulëse jashtë vendit”.

“Pekini tani po sfidon sigurinë, prosperitetin dhe vlerat tona në mënyra domethënëse që kërkojnë një qasje të re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Ne duam t’i qasemi kësaj me ca durim strategjik”.

SHBA-ja  është duke rishqyrtuar shumë politika që lidhen me Kinën. Pjesë e politikave është dhe tregtia.

Psaki deklaroi se presidenti Biden, do të presë përfundimin e  rishqyrtimit “gjithpërfshirës”, dhe më pas të përcaktojë veprimin e tij.

Qasja e presidentit do të jetë shumëpalëshe”.

Ajo shtoi se “presidenti është i përkushtuar të ndalojë abuzimet ekonomike të Kinës në shumë fronte dhe mënyra më efektive për ta bërë këtë është përmes punës me aleatët dhe partnerët tanë”.

Vërejtjet e Psakis  erdhën pasi Presidenti kinez Xi Jinping, në fjalën e tij në takimin virtual të Forumit Ekonomik botëror, bëri thirrje bëri thirrje për bashkëpunim global në trajtimin e pandemisë së coronavirusit.

“Lufta tregtare do të sjellë vetëm prishje të interesave të gjitha vendeve”.

Psaki u shpreh se deklarata e presidentit kinez nuk do të  ndikojë në qëndrimin  aktual të SHBA-së ndaj Kinës.

“Konkurrenca strategjike me Kinën është një tipar përcaktues i shekullit të 21-të. Kina është e angazhuar në sjellje që dëmton punëtorët amerikanë, zbehin avantazhin teknologjik dhe kërcënon aleancat tona”.

Administrata e ish-presidentit Donald  Trump ka mbajtur një qëndrim më konfrontues ndaj Kinës, në lidhje me disa politika si tregtia, teknologjia dhe çështja e të drejtave të njeriut./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore