Lajme

SHBA-ja dhe BE-ja: Po punojmë me Kurtin e Vuçiçin për të gjetur zgjidhje në Veri


Flamuri i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian foto nga arkivi.

Departamenti amerikan i Shtetit përmes një komunikate për media kanë thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç për të gjetur një zgjidhje për uljen e tensioneve në Veri.

“Ne po punojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike në mënyrë që të ulen tensionet dhe të arrihet pajtim për një rrugë para në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies të gjitha komuniteteve lokale”, thuhet në deklaratë.

Tutje nga BE-ja dhe SHBA-ja është shprehur shqetësimi i tyre lidhur me situatën e tensionuar në Veri.

“BE-ja dhe SHBA-ja është e shqetësuar për situatën e tensionuar që po vazhdon të mbizotërojë në veri të Kosovës. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve për përmbajtje maksimale, të mos marrin masa të menjëhershme dhe të pakusht për të ulur tensionet, dhe të frenohen nga provokimet, kërcënimet e frikësimet”.

Nga DASH është kërkuar që sundimi i ligjit të respektohet.

Duke thënë se “mirëpresin garancinë e marrë nga Kosova që konfirmon se nuk ka një listë me serbë të Kosovës që do të arrestohen apo persekutohen për protestat paqësore/barrikadat”.

Barrikadat në Veri.

“Në të njëjtën kohë sundimi i ligjit duhet të respektohet, dhe çdo formë e dhunës është e papranueshme e nuk do të tolerohet”, thuhet në komunikatë.

Situata e tensionuar në Veri të Kosovës që nga muaji nëntor është përshkallëzuar pas arrestimit të ish-policit me kombësi serbe, Dejan Pantiç, i cili dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Veri.

Ai ishte larguar nga radhët e policisë bashkë me afër 600 të tjerë meqë kolektivisht vendosën ta braktisin forcën policore me urdhër politik të Listës Serbe për të lëshuar institucionet në të gjitha nivelet.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.

Edhe pse institucionet e Kosovës thanë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në Veri, ata shtuan se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato.

Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë të mërkurë ka konfirmuar se ish-polici i Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Dejan Pantiç, i cili u arrestua në pikë kalimin kufitar në Jarinjë, nga autoritetet kosovare nën dyshimin për sulme terroriste është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri.

Pantiç i cili deri të mërkurën ndodhej në paraburgim, tashmë do të mbrohet në arrest shtëpiak.

Sipas avokatëve që ka pyetur Albanian Post, të mbrohesh në liri për një vepër të tillë është pothuajse e padëgjuar në sistemin juridik të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore