Bota

SHBA/ Gjyqi i fajësimit të Trump-it shtyhet për muajin tjetër


Muajin tjetër do të fillojë gjyqi i dytë i fajësimit të ish-presidentit, Donald Trump. Ky gjyq vjen pas një marrëveshje të realizuar mes demokratëve dhe republikanëve në Senat.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve do të dërgojnë ditën e hënë në Senat akuzën  për “nxitjen e kryengritjes” .

Ato akuzojnë ish-presidentin për nxitjen e trazirave ku mbetën të vdekur pesë persona me 6 janar në Capitol-in e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjyqi i tij i dytë i fajësimit do të fillojë pothuajse një vit pasi Senati e liroi nga akuza për abuzim të pushtetit dhe pengim të Kongresit. Kjo çështje lidhej me akuzat se ai i bëri presion Ukrainës për të ndihmuar në shpifjen e presidentit, Joe Biden dhe djalit të tij.

Demokrati, Chuck Schumer, përfaqësuesi më i lartë i Senatit, tha të premten se Dhoma e Përfaqësuesve do të dorëzojë akuzën ditën e hënë.

“Senati do të zhvillojë një gjyq për fajësimin e Donald Trump. Do të jetë një gjyq i plotë. Do të jetë një gjyq i drejtë”.

Edhe pse demokratët përbëjnë shumicën e Senatit, duhet mbështetja e të paktën 17 republikanëve në mënyrë që të dënojnë Trump-in, sepse kërkohet një votim i dy të tretave.

Senatori Roger Wicker, një republikan i Misisipit,  u shpreh për CNN, se “shanset për të marrë një dënim janë praktikisht zero.”

Vetëm pesë senatorë republikanë si, Mitt Romney nga Utah, Lisa Murkowski nga Alaska, Ben Sasse nga Nebraska, Susan Collins nga Maine dhe Pat Toomey nga Pennsylvania  shihen si të “dyshuar të mundshëm”./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore