Lajme

SHBA/ Djali i Ekzekutivit të Trump-it, me pagë të konsiderueshme dhe përfitime bujare


Kompania e ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ka paguar menaxherin e një sheshi patinazhi më shumë se 200 mijë dollarë pagë vjetore dhe 40 mijë dollarë bonuse vjetore, sipas dëshmisë së punonjësit, Barry Weisselberg, dhe dokumenteve të tij financiare.

Për më tepër, atij i janë vënë në dispozicion apartamente, në pronësi të kompanisë, falas për familjen e tij.

Pagesa dhe përfitime të tilla, si dhe mbështetje të tjera financiare të ofruara për Weisselberg-un dhe familjen e tij, kanë tërhequr vëmendjen e prokurorit të Qarkut të Manhattan-it, Cyrus R. Vance Jr.

Me këtë të fundit, si një komponent potencialisht kryesor të hetimit të tij të vazhdueshëm penal në biznesin, aktivitetin dhe financat e ish-presidentit.

Kush është Barry Weisselberg?

Ai është djali i të besuarit dhe shefit të parë financiar të Trump-it, Allen Weisselberg. Sipas një personi të njohur me hetimin, prokurorët janë duke u përpjekur për të siguruar bashkëpunimin e tij.

Prokurorët janë të bindur se Weisselberg mund të zotërojë prova të mjaftueshme, sipas të cilave Trump do të akuzohej, anëtarët e familjes së tij apo rrethin e brendshëm.

Ashtu si të tjerët, ai foli në kushte anonimiteti gjatë diskutimeve të një hetimi të vazhdueshëm.

Megjithëse autoritetet nuk e kanë akuzuar Trump-in, Allen Weisselberg ose djalin e tij për keqbërje, hetuesit mund të përdorin çdo dobësi ligjore, që përfshin Barry Weisselberg, për të ushtruar presion ndaj babait të tij që të kthehet kundër ish-presidentit.

Një avokat për Barry Weisselberg nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Avokati i Allen Weisselberg nuk pranoi të komentonte, ashtu siç bëri një zëdhënës i zyrës së avokatit të rrethit. Trump ka hedhur poshtë hetimin si të motivuar politikisht.

Të enjten, ish-gruaja e Barry Weisselberg, Jennifer Weisselberg, siguroi dokumente dhe një kompjuter portativ në zyrën e Vance-t në përgjigje të një thirrjeje të jurisë së madhe.

Kjo e fundit i kërkonte asaj të prodhonte të gjitha të dhënat që ajo zotëronte për llogaritë bankare të ish-burrit të saj dhe kartat e kreditit, plus deklaratat e tij të pasurive neto dhe regjistrimeve të taksave.

Këto të dhëna u futën në procedurat e divorcit të çiftit, të cilat filluan në vitin 2017, dhe disa u morën nga Washington Post këtë javë, së bashku me një transkript të depozitimit që dha Barry Weisselberg si pjesë e këtij procesi ligjor.

Dokumentet tregojnë një varg pagesash dhe përfitimesh që Barry Weisselberg dhe familja e tij morën si rezultat i punësimit të tij për kompaninë Trump mbi 18 vjet, duke ngjallur pyetje kryesore për hetuesit, që analizojnë financat e sheshit të patinazhit vetëm me para dhe duke punuar për të parë nëse u paguan taksat e duhura.

Barry Weisselberg ishte në të 20-at e tij kur u bashkua me Organizatën e Trump-it.

Fillimisht për të punuar në konkursin Miss Universe për një vit dhe, më pas, si menaxher i Wollman Rink. Kjo kompani operonte nën një kontratë me qytetin nga 1986 deri në fillim të këtij viti.

Për punën e tij si menaxher në shesh patinazhi, i cili operon nga tetori deri në prill, Barry Weisselberg tha, gjatë procedurave të divorcit, se ai ishte paguar me një pagë vjetore prej mbi 200 mijë dollarë për “për aq kohë sa ai mbante mend”, sipas transkriptimit.

Në depozitim, Weisselberg pranoi se kishte bërë gabime në shpjegimin e informacionit në lidhje me financat e tij.

Ai tha, për shembull, se kishte harruar që ndau një llogari investimi me babanë e tij dhe gaboi në pagën e tij, duke shkaktuar ndërhyrje nga avokatët e tij kur përballeshin vazhdimisht me informacione kontradiktore, tregon transkriptimi.

Weisselberg nuk mund t’u përgjigjej disa pyetjeve në lidhje me taksat e tij, tregon transkriptimi.

Kur u pyet mbi taksat e apartamentit të korporatës ku jetonte familja e tij më parë, ai u përgjigj se nuk ishte i sigurt nëse ato qenë paguar.

I pyetur se si kompania përcaktoi madhësinë e shpërblimeve të tij, të cilat arrinin rreth 40 mijë dollarë në vit nga 2015 në 2017, ai tha se nuk ia kishte “idenë”.

Gjithashtu, atij iu bë presion, për të shpjeguar mospërputhjet midis asaj që ai tha se fitonte dhe asaj që ai raportoi në formularët e taksave për Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme.

Por, ai u mjaftua me përgjigjen: “Nuk jam një llogaritar. Unë e di se çfarë bëj. Unë nuk jam shumë i sigurt për disa gjëra të caktuara”.

Depozitimi i gushtit 2018 dhe dokumentet financiare të bashkëlidhura gjithashtu tregojnë se Allen Weisselberg i dha mbështetje financiare djalit të tij, 45 vjeç.

Pavarësisht nga kompensimi gjashtëshifror që ai mori për punën e tij në shesh patinazhi, Barry Weisselberg pranoi në dëshminë e tij të divorcit se shpenzimet e tij të jetesës ishin kryesisht të mbuluara nga i ati.

Ndërsa ishin të martuar, Barry dhe Jennifer Weisselberg jetuan pa qira për disa vjet në dy apartamente në pronësi të Trump-it në Manhattan, duke përfshirë një në Central Park South, një lagje e pasur ku qiraja arrin shifra marramendëse.

Në depozitimin e tij, ai u shpreh se nuk ishte i sigurt sesi trajtoheshin taksat mbi pronën.

Përshtatur për Washington Post nga Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore