Lajme

SHBA/Bota reagon ndaj protestave në SHBA


Krerët e shteteve në mbarë botën kanë dënuar skenat e dhunshme në Washington, ku mbështetësit e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Capitol-it.

Trazirat detyruan pezullimin e seancës së përbashkët të Kongresit dhe Senatit për certifikimin e fitores së zgjedhjeve presidenciale nga Joe Biden.

Politikanët të ndryshëm, të ndikuar nga ngjarja, bënë thirrje për paqe dhe kalim të rregullt të pushtetit. Ata e cilësuan reagimin e dhunshëm të mbështetësve të Trump-it si “të tmerrshëm” dhe një “sulm ndaj demokracisë”.

Mbretëria e Bashkuar

Kryeministri britanik, Boris Johnson, i quajti skenat “të turpshme”.

“Shtetet e Bashkuara sigurojnë demokracinë në të gjithë botën. Tani është i domosdoshëm transferimi i qetë dhe i rregullt të pushtetit”, shkroi ai në Twitter.

Politikanë të tjerë të Mbretërisë së Bashkuar, iu bashkuan dënimit të dhunës nga Boris Johnson. Kreu i opozitës, Sir Keir Starmer, e cilësoi një “sulm të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë dhunën e mbështetësve të Trump-it”.

Gjermani

Nuk mungoi as opinioni i kancelares, Angela Merkel, e cila i quajti “sulmues” protestuesit amerikanë duke shtuar se ishte “zemëruar nga skenat e dhunës në Capitol”.

“Më vjen keq që presidenti Trump ende nuk e ka pranuar humbjen, por ka mbajtur ngritur dyshimet në lidhje me zgjedhjet”, u shpreh ajo në një takim të konservatorëve gjermanë.

Australi

Kryeministri Australian, Scott Morrison, i përshkroi ngjarjet në Washington D.C si “jashtëzakonisht shqetësuese”.

“Si rezultat i kësaj, ne po bëjmë disa ndryshime në këshillat tona të udhëtimit”, shtoi ai.

“Kjo është një kohë e vështirë për Shtetet e Bashkuara. Ata janë një nga demokracitë më të mëdha në botë. Kështu, ne shpresojmë të shohim një tranzicion paqësor”, u shpreh kryeministri Morrison.

Kanada

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha në një intervistë në radio se “ishte shqetësuar nga skenat e dhunshme dhe kaotike në Washington D.C”.

“Unë mendoj se institucionet demokratike amerikane janë të forta dhe shpresojmë se gjithçka do të kthehet në normalitet së shpejti,” tha Trudeau për “News 1130” në Vancouver.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që duhet, që populli kanadez të jetë i kënaqur nga marrëdhënia jonë me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht zhvillimit të gjërave”,  u shpreh ai.

Kinë

Ambasada Kineze në SHBA, këshilloi shtetasit e saj të bëjnë kujdes para se të shkojnë në vende publike. Kjo u njoftua nëpërmjet një postimi në Twitter nga gazetari i “Economist”, Simon Rabinovitch.

Izrael

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se sulmi ndaj ndërtesës së Capitol-it, ishte në kundërshti me vlerat amerikane dhe izraelite dhe është akt që duhet dënuar.

“Për breza të tërë, demokracia amerikane ka qenë një burim frymëzimi për botën dhe për Izraelin. Demokracia amerikane ka qenë gjithmonë një burim frymëzimi për mua. Kjo trazirë e dhunshme është e kundërta e vlerave të promovuara nga amerikanët dhe izraelitët”, u shpreh ai.

Itali

Luigi Di Maio, Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, shkroi në Twitter se sulmi i Kapitolit ishte një turp i vërtetë për demokracinë duke e konsideruar cënim ndaj lirive të popullit Amerikan.

“Ne dënojmë me forcë të gjitha format e dhunës dhe shpresojmë që të ketë një transferim të rregullt dhe paqësor të pushtetit sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.

Japoni

“Ne shpresojmë që demokracia e Amerikës të kapërcejë këtë trazirë dhe të rifitojë paqen dhe bashkëpunimin e shoqërisë,” është shprehur Katsunobu Kato, sekretari i Kabinetit Kryesor Japonez.

“Ne e marrim seriozisht dhe me shqetësim cënimin e Kongresit të SHBA-së”, vazhdoi ai.

NATO

Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut ku përfshihen 30 vende evropiane dhe të Amerikës së Veriut, kërkoi respekt për procesin demokratik në SHBA.

Ai i quajti tronditëse skenat nga Washington D.C.

“Rezultati i këtyre zgjedhjeve demokratike duhet të respektohet”, shkroi Stoltenberg në Twitter.

Holandë

Kryeministri Hollandez, Mark Rutte, iu drejtua presidentit në largim, Trump, duke e nxitur ta njohë presidentin e zgjedhur Joe Biden si president aktual të SHBA-së.

Zelanda e Re

Duke iu përgjigjur trazirave në Washington D.C, Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, u shpreh se “demokracia nuk duhet të zhbëhet kurrë nga një turmë”.

“Mendimet tona janë me këdo që është po aq i prekur sa ne nga ngjarjet e sotme”, shkroi Ardern.

Edhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Zelandës së Re, Nanaia Mahuta, dënoi dhunën në Washington D.C. dhe mbështeti konfirmimin e presidentit të zgjedhur Joe Biden nga Kongresi Amerikan.

Rusia

Figura kryesore e opozitës ruse, Alexei Navalny shkruan në Tëitter se mbështetësit e Putinit janë të lumtur me kaosin në Shtetet e Bashkuara dhe po vlerësojnë “stabilitetin e Putinit”, ironizoi ai në komentin e tij.

Spanja

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, shprehu besimin e tij në forcën e demokracisë së Amerikës.

Ai tha se po “ndiqte me shqetësim lajmet që vinin nga Kapitoli në Washington”.

“Presidenca e re e Joe Biden, do të kapërcejë këtë kohë tensioni, duke bashkuar popullin Amerikan”, shkroi ai në Twitter.

Suedi

Kryeministri suedez, Stefan Löfven, tha se ngjarjet e së mërkurës në Washington D.C., ishin “thellësisht shqetësuese” dhe “një sulm ndaj demokracisë”.

Ai bëri thirrje që procesi demokratik të respektohet. Löfven gjithashtu i referohej drejtpërdrejt Trump-it duke i ngarkuar përgjegjsinë e ngjarjes.

Turqi

Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë, është deklaruar se po ndiqen me shqetësim zhvillimet e brendshme të SHBA-së, pas zgjedhjeve presidenciale.

Sipas shkrimit, ngjarja ka arritur kulmin me shkeljet e protestuesve pro-Trump.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve në SHBA të përmbahen dhe të tregohen të matur. Ne besojmë se SHBA-ja do ta kapërcejë këtë krizë të brendshme politike në një mënyrë të pjekur”, thuhet në shkrim. /AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore