Lajme

SHBA bisedon me firmat energjetike për gazin në BE në rast konflikti Rusi-Ukrainë


Qeveria amerikane ka zhvilluar bisedime me disa kompani ndërkombëtare energjetike për planet e emergjencës mbi furnizimin me gaz natyror në Evropë.

E gjitha nëse konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës ndërpret furnizimet ruse.

Kështu kanë bërë me dije dy zyrtarë amerikanë dhe dy burime të industrisë për agjencinë e lajmeve, “Reuters”.

Lëvizja e qeverisë i ka rrënjët te shqetësimi se Rusia po përgatitet për mundësinë e një sulmi të ri ushtarak ndaj vendit që pushtoi në vitin 2014.

Mirëpo, Rusia e ka mohuar idenë se ka në plan të sulmojë Ukrainën.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian varet nga Rusia për afro një të tretën e furnizimeve me gaz dhe sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çdo konflikt mund ta ndërpresin furnizimin.

Por diçka e tillë do të përkeqësonte një krizë energjetike të shkaktuar nga mungesa e karburantit në Evropë.

Çmimet rekord të energjisë kanë rritur faturat e energjisë së konsumatorit, si dhe kostot e biznesit dhe kanë shkaktuar protesta në disa vende.

Kështu që, zyrtarët e Departamentit të Shtetit shkuan drejt kompanive për t’i pyetur se nga mund të vinin furnizime shtesë nëse do të nevojiteshin.

Kompanitë u kanë thënë atyre se furnizimet globale të gazit janë të ngushta dhe se ka pak gaz në dispozicion për të zëvendësuar vëllime të mëdha nga Rusia, sipas burimeve.

“Kemi diskutuar një sërë situatash të paparashikuara dhe kemi biseduar për gjithçka që po bëjmë me partnerët dhe aleatët tanë të shtetit kombëtar”, ka treguar burimi për “Reuters”.

Zyrtarët amerikanë kanë pyetur gjithashtu nëse kompanitë kishin kapacitet për të rritur eksportet dhe për të shtyrë mirëmbajtjen në terren nëse do të jetë e nevojshme.

Ndërkohë, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve ka konfirmuar se planifikimi i emergjencës ishte duke u zhvilluar.

“Çdo detaj në këtë aspekt tregon seriozitetin e gjerë me të cilin po diskutojmë dhe jemi të përgatitur të vendosim masa të rëndësishme me aleatët dhe partnerët tanë”, ka thënë ai.

Moska e ka alarmuar Perëndimin duke grumbulluar trupa pranë Ukrainës në dy muajt e fundit, pas kapjes së gadishullit të Krimesë të Ukrainës në vitin 2014 dhe mbështetjes ndaj separatistëve që luftojnë trupat e Kievit në Ukrainën lindore.

Më parë, presidenti amerikan Joe Biden i ka thënë presidentit rus Vladimir Putin se një veprim i ri rus në Ukrainë do të sillte sanksione dhe prani të shtuar të SHBA-ve në Evropë.

Por Rusia e ka mohuar planifikimin për të sulmuar Ukrainën dhe ka thënë se ka të drejtë të lëvizë trupat e saj në tokën e saj si të dojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore