Lajme

SHBA/ Betohet Kamala Harris, e para zëvendëspresidente afro-amerikane


Kamala Harris hyri në histori si gruaja e parë me ngjyrë dhe aziatika e parë që u bë Zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Harris u betua  si zëvendëspresidente nga gjykatësja e parë hispanike në historinë e Gjykatës  së Lartë,  Sonia Sotomayor.

Sotomayor u emërua në Gjykatën e Lartë nga ish-presidenti Barack Obama në vitin  2009. Njësoj si Harris, Sotomayor ka thyer barrierat gjatë gjithë karrierës së saj. Ajo është gjithashtu gjykatësja e tretë femër në historinë e Gjykatës së Lartë të SHBA-së.

Zëvendëspresidentja Harris  u shoqërua nga  Oficeri i Policisë së Capitol-it, Eugene Goodman. Goodman-i  u cilësua si një hero pas shfaqjes së videos së tij duke zhvendosur turmën e dhunshme larg dhomës së Senatit gjatë bastisjes së Capitol-it.

Kamala Harris kishte zgjedhur ngjyrën vjollcë në veshjen e saj. Një ngjyrë  mjaft domethënëse për të. Kur ajo kandidoi për presidente, në ngjyrat e fushatës së saj ishin  vjollca dhe e verdha.

Ky është një nderim për Shirley Chisholm-in.  Ajo garoi për president si gruaja e parë me ngjyrë dekada më parë dhe frymëzoi karrierën  politike të Harris.

Zëvendëspresidentja  publikoi tweet-in e saj të parë. Harris shkruan “Gati për të shërbyer”./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore