Shqipëria

SHBA-BE urojnë 28 hetuesit e rinj të BKH-së


Ambasada e SHBA-ve në Tiranë dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, kanë uruar emërimin e 28 hetuesve të rinj të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Nëpërmjet një postimi në Twitter, përfaqësia e SHBA-ve thekson se individët janë testuar dhe trajnuar për këtë proces.

“Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin këta individë, ndërsa ata ndërmarrin fazat e tjera të trajnimit të tyre dhe ndihmojnë për ta çuar përpara reformën në drejtësi”, shkruhet në postim.

Postimi përmbyllet me një urim për aplikantët e rinj.

“Fat të mirë të gjithë atyre që kohët e fundit kanë dorëzuar aplikimet e tyre për të qenë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së”.

Vetë ambasadorja Yuri Kim, ka vendosur theksin në faktin se Reforma në Drejtësi, nuk ka qenë “e lehtë, e shpejtë apo perfekte”. Gjithsesi, sipas Kim-it, ajo po ecën përpara, hap pas hapi.

“SHBA-të janë me Shqipërinë në çdo hap dhe çdo hap e sjell Shqipërinë më pranë anëtarësimit në BE. SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesim fuqimisht implementimin e reformës, në mënyrë që institucionet të funksionojnë me integritet dhe të japin rezultate”.

Nëpërmjet Twitter-it, ka uruar edhe ambasadori Soreca.

“Urime 28 hetuesve të rinj, të cilët kaluan fazën e rekrutimit dhe trajnimit fillestar”.

Ndër të tjera, ambasadori cilëson se tashmë Prokuroria Speciale (SPAK), mund të mbështetet në punën e këtyre hetuesve të rinj. Së bashku, pritet që SPAK dhe BKH, të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Reforma në drejtësi vazhdon”, përmbyll Soreca.

Të dyja, SPAK-u dhe BKH-ja, kanë qenë investuese të fuqishme në reformën në drejtësi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore