Lajme

SHBA-Assange, gati për ekstradim


Departamenti i Drejtësisë në SHBA do të lëvizë përpara me hapat për ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange. Transferimi i tij u bllokua nga një gjykatë britanike. Assange është nën akuzë për spiunazh.

Zëdhënësi për shtyp i Departamentit të Drejtësisë, Mark Raimondi, konfirmoi se SHBA-ja po ndërmerr hapa për të apeluar vendimin e gjykatës britanike.

Avokatët e Assange-it po shpresonin se nën administratën Biden, çështja nuk do të vazhdonte. Pushimin e çështjes, më parë, e kishte marrë administrata Obama, për shkak të shqetësimeve se një vendim për arrestimin e themeluesit të WikiLeaks, do të vinte në rrezik lirinë e medias.

Akuza konkrete, është ajo e nxjerrjes së materialeve të klasifikuara mbi luftën në Afganistan dhe Irak.

Administrata Trump u përpoq shumë të procedonte penalisht dhe  ekstradonte Assange-in. Kjo, edhe për shkak të luftës së hapur që Trump shpalli ndaj gazetarëve.

Me qasjen e re që Biden solli në Shtëpinë e Bardhë, u mendua se çështja WikiLeaks do të mbeste thjeshtë në kujtesë. Por, me veprimet e fundit të ndërmarra nga administrata e re në SHBA, është e qartë që qasja nuk do të ndryshojë rrjedhën e katër viteve të fundit.

Apelimi i vendimit të gjykatës britanike, është qartësisht tregues se presidenti Biden, e ka marrë seriozisht çështjen e sigurisë kombëtare. Ngjarjet e fundit në SHBA, përfshi protestën në Capitol në 6 janar, mund të kenë ndikuar në këtë zgjedhje.

Çështja Assange

Julian Assange është një publicist australian, i cili në vitin 2006, themeloi WikiLeaks. Kjo e fundit, është një organizatë jo-fitimprurëse e cila publikun materiale konfidenciale nga burime anonime.

Çështja Assange u bë e njohur në botë në vitin 2010, pas disa përgjimeve që WikiLeaks bëri publike. Në to, përfshiheshin çështje të sigurisë së lartë amerikane, përfshi sulmet ajrore në Baghdad dhe një video me pamjet nga këto sulme.

Në vitin 2010, Suedia nxorri një urdhër ndërkombëtar arresti për Assange-in. Akuzat e ngritura ishin ato të ngacmimeve seksuale. Assange vetë, i quajti këto akuza si inskenime për të bërë ekstradimin nga Suedia në SHBA.

Në qershor 2012, ai u strehua në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku iu sigurua dhënia e azilit politik. Në 2019-ën, prokurorët suedezë i hodhën poshtë akuzat ndaj Assange.

Në 2016-ën ndërkohë, WikiLeaks publikoi disa email-e konfidenciale të Partisë Demokratike në SHBA. Sipas këtyre email-eve, kandidatja Hillary Clinton, ishte favorizuar në primare ndaj rivalit Bernie Sanders.

Në prill të 2019-ës, Ekuadori e shfuqizoi dhënien e azilit ndaj Assange, për shkak të disa mosmarrëveshjeve. Policia britanike u ftua të hynte në ambasadë, ku e arrestoi Assange-in për tejkalim territori. Ai u dënua me 50 javë burg.

Në maj 2019, SHBA-ja formuloi akuzat e para konkrete ndaj tij, për spiunazh, lidhur me përgjimet e dala nga Chelsea Manning mbi çështjen e Baghdad-it.

Tashmë çështja është zhvendosur në rrugë ligjore, ku SHBA-ja kërkon ekstradimin e Assange-it dhe Britania nuk pranon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore