Lajme

Shahini: Qeveria po i mban mbi 200 milionë euro në banka, inflacioni po rritet


Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka kritikuar Qeverinë Kurti se po i mban 210 milionë euro pa asnjë nevojë në banka në vend se t’i fus në qarkullim në një kohë kur inflacioni është i lartë.

Madje sipas tij, ‘’Qeveria nuk di çfarë të bëjë me to dhe i mban nëpër banka, e në anën tjetër varfëria rritet e qytetarët kërkojnë grante Qeveria në këtë kohë të inflacionit i mban në banka, pra kjo është keqmenaxhim i parasë e i taksapaguesve kosovarë”.

“Bilanci tregtar i cili është i rregulluar me ligj e që duhet të jetë diku 4.5 për qind e Bruto Produktit Vendor, duhet të mbahet gjithmonë si garancion dhe në këtë rast ne kemi mbi 210 milionë euro të cilat më shumë dhe Qeveria nuk di çfarë të bëjë me to dhe i mban nëpër banka, e në anën tjetër varfëria rritet e qytetarët kërkojnë grante e ajo (Qeveria) në këtë kohë të inflacionit i mban në banka, pra kjo është keqmenaxhim i parasë e i taksapaguesve kosovarë”.

Ai ka theksuar se shteti është i obliguar që t’i mbledhë taksat, por ato në të cilat ka projekte mund t’i harxhojë.

‘’Në momentin kur bën tepricë ajo duhet t’i reduktojë taksat në mënyrë që mos të merren e ato të mbeten në banka”, shtoi Shahini për Ekonomia Online.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, marrë për bazë publikimin e institutit “GAP”, i cili një ditë më parë publikoi një grafikon me të dhënat zyrtare për investimet kapitale të realizuara për periudhën janar-qershor që nga viti 2012 në nivel qendror dhe lokal, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të investimeve në projektet kapitale.

“Realizimi i investimeve kapitale në Kosovë është më i ulëti në gjithë dekadën e fundit. Po kalon viti i dytë qeverisës, vera e dytë e kohës së punimeve, dhe asnjë projekt kapital nuk po merr formë në vendin tonë. As edhe një shenjë e lënë”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin e tij social në Facebook.

Më 29 korrik, Instituti “GAP” përmes një grafikoni ka publikuar të dhënat zyrtare për investimet kapitale të realizuara për periudhën janar-qershor që nga viti 2012 në nivel qendror dhe lokal.

Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, Kosova bazuar në të dhënat e “GAP” ka përqindjen më të ulët të investimeve kapitale si në nivel qendror po ashtu edhe në atë lokal në dekadën e fundit.

E kjo sipas GAP është e lidhur në mënyrë eksplicite me rritjen e çmimeve të materialeve ndërtimore dhe politikave qeveritare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore