Kosova

Sfidat e kryetarëve të rinj të komunave në Kosovë


Komuna e Kaçanikut

Zhvillimi ekonomik, uji i pijes e infrastruktura rrugore, konsiderohen si sfidat më të mëdha të disa nga kryetarët e ri të komunave me të cilat presin të ballafaqohen.

Pas zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe pas fitores së arritur, kryetarët e komunave veç se kanë filluar të bëjnë betimin e tyre. Por, jo të gjithë e kanë kryer këtë seancë inauguruese.

Bazuar në ligjin për vetëqeverisje lokale, neni 42 i qartëson në detaje procedurat dhe afatet kur një kryetari i zgjedhur qysh në raundin e parë mund të nis punën.

“Mbledhja inaguruese e Kuvendit të Komunës thirret nga kryetari (aty ku është zgjedhur), brenda 15 ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve”, thuhet në nenin 42.2 të ligjit për qeverisje lokale.

Ferid Idrizi, kryetari në ardhje për komunën e Vushtrrisë, nga radhët e Partisë Demokratike, për Albanian Post, ka treguar se ende nuk e ka nis punën. Megjithatë, ai theksoi se në të hënën e parë të muajit dhjetor do ta kryej betimin si kryetar.

“Me datën gjashtë e kemi caktuar seancën inauguruese ku bëhet betimi dhe marrja e mandatit”.

Ferid Idrizi, kryetari në ardhje për komunën e Vushtrrisë nga PDK

Ai rrugëtimin e tij si kryetar do ta fillojë me një ndër prioritetet e para, siç thotë dhe vetë Idrizi, me problemin e ujit të pijshëm.

“Fillimisht do të merremi me ujin e pijshëm që është një problem ende i pazgjidhur në komunën e Vushtrrisë, mandej do të merremi me çështje të tjera siç janë sinjalizuesit e rrugëve ku ka pasur edhe fatkeqësi të trafikut në këtë qytet në disa pika, dhe do të vazhdojmë me planin dinamik që e kemi për 100 ditëshin e parë”, u shpreh Idrizi.

Megjithatë, ajo që Idrizi e sheh si një ndër sfidat me të cilat do të ballafaqohet në këtë qytet është hapja e vendeve të reja të punës.

“Sfida më e madhe do të jetë përgatitja e të rinjve për tregun e punës dhe mbështetja për hapjen e vendeve të reja të punës”.

Por, siç potencon Idrizi, ky projekt për të “sa është sfidues po aq është edhe që i kalueshëm”.

Ndryshe, sa i përket projekteve të tjera si ato investimet kapitale “nuk shoh ndonjë sfidë të veçantë sepse këto janë veçse të planifikuara në program por edhe do t’i fusim në planifikimin buxhetor”.

Idrizi fitoi me 13 mijë e 181 vota ose 53.13 për qind.

Punën si kryetar nuk e ka nis as Besim Ilazi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Komuna e Kaçanikut, në raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale, zgjodhi përsëri PDK-në edhe për një mandat katërvjeçar qeverisës.

Besim Ilazi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetar në Kaçanik

Ilazi, mori 53 për qind të votës së përgjithshme qytetare, ndërsa Jeton Raka, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, mori 46,80 për qind të votave.

Për të, rezultati i arritur ishte i pritur.

Rezultati ka qenë i pritur, qytetarët e kanë vlerësuar punën tonë dhe të ekzekutivit dhe ky ka qenë edhe rezultati që është treguar edhe më 17 tetor edhe më 14 nëntor”, ka thënë Ilazi për AP.

Ndërkohë, seancën përuruese Ilazi do ta bëjë më tetë dhjetor.

“Sa i përket punës së ekzekutivit shpresojmë që javën tjetër, të mërkurën të bëhet betimi edhe i kryetarit të asamblesë në kuvendin komunal ku do të zgjedhet kryesuesi kurse sa i përket ekzekutivit po shpresoj që nga një janari të startojmë punën”, shtoi ai.

Derisa thotë se kanë qenë në vazhdimësi të qeverisjes, Ilazi theksoi se do t’i respektojnë vendimet e marra në shtator të këtij viti.

“Do t’i realizojmë ato projekte për vitin që do të kemi, kuptohet duke kërkuar edhe mbështetje edhe nga niveli qendror, për projekte madhore të cilat komuna e Kaçanikut nuk ka mundësi t’i realizojë”.

Sipas tij, sfida më e madhe është çështja e zhvillimit të dobët ekonomik.

“Komuna e Kaçanikut dhe të komunave të tjera të vogla përveç mos zhvillimit në fushën e ekonomisë, çështja e papunësisë është një sfidë tjetër”.

Po ashtu, ai ka theksuar se gjatë mandatit katër vjeçar të tij, një ndër prioritetet e tij do të jetë trajtimi i ujërave të zeza.

“Është projekt madhor dhe ka kosto jashtëzakonisht të madhe por me mbështetjen e nivelit qendror dhe me donacionet e treta po shpresojmë që në këtë mandat katër vjeçar të jetë fillimi i këtyre punimeve”, tha ai.

Në anën tjetër, për Sokol Halitin, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili arriti të bëhet i pari i komunës së Vitisë, rezultati ishte i pritur.

Sokol Haliti, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetar në Viti

“Fitoren e kemi pritur, për shkak të punës së bërë dhe vullnetit të qytetarëve”.

E hëna e gjashtë dhjetorit do të jetë dita kur Haliti do të betohet si kryetar që do të udhëheqë për katër vjetët e ardhme këtë komunë.

“Betimin për kryetar do ta jap të hënën e gjashtë dhjetorit e kemi seancën inauguruese”.

Ajo që për Halitin cilësohet si sfidë me të cilën do të mund të has në vështirësi është qasja në autostradë.

“Kyçja në Gërlicë në autostradë për qytetin e Vitisë është jetike, edhe zgjerimi apo rregullimi i magjistraleve që kanë mbetur të vjetruara, edhe për Gërlicë edhe për Gjilan e Ferizaj”, ka thënë Haliti për AP.

Haliti fitoi me tetë mijë e 684 vota ose 51.48 për qind të votave të përgjithshme.

Ndërsa, Smajl Latifi, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që me 11 mijë e 445 vota ose 63.32 për qind të votave fitoi komunën e Rahovecit.

Siç tregon Latifi për AP, betimin e tij si kryetar do ta bëjë të premten e tre dhjetorit.

Smajl Latifi, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetar i Rahovecit

“Me datën tre dhjetor e kemi betimin. Ne e kemi vendosur vetit prioritetet, synimet dhe qëllimet e zotimet i kemi dhënë para publikut, do të punojmë në këto katër vjet për ta përmbushur vizionin tonë qeverisës katër vjeçar, dhe gjithsesi që do të ketë bashkëpunim dhe komunikim me nivelin qendror”, u shpreh ai.

Ndërkaq, komunat të cilat kanë shënuar fitore duke mos shkuar fare në balotazh janë Deçani, Mitrovica Jugore, Leposaviçi, Lipjani, Novebërda, Peja, Shtërpca, Suhareka, Ferizaj, Zubin Potoku, Zveçani, Hani i Elezit, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Mitrovica Veriore dhe Skenderaj.

Kurse, balotazhi në Kosovë është mbajtur më 14 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore