Aplikacione

Sfida e Whatsapp-it në Gjermani


Në Gjermani, rregullatori kryesor i mbrojtjes së të dhënave, ka njoftuar se po merrte masa kundër medias sociale, Facebook, për të parandaluar mbledhjen e të dhënave personale nga përdoruesit e aplikacionit të saj të mesazheve, Whatsapp.

Agjencia e lajmeve, Reuters, zbulon se rregullatori e ka nisur punën nga Hamburg-u ku ka hapur procedura emergjente kundër Facebook-ut pas lëvizjes së Whatsapp-it duke informuar përdoruesit për t’u pajtuar me kushtet e reja të të dhënave ose përndryshe do të ndalohej përdorimi i aplikacionit.

“Ne kemi arsye të besojmë se politika e ndarjes së të dhënave midis Whatsapp-it dhe Facebook-ut po zbatohet në mënyrë të palejueshme për shkak të mungesës së pëlqimit vullnetar dhe të informuar”, ka thënë Johannes Caspar, zyrtar i mbrojtjes së të dhënave në Hamburg.

Ai ka shtuar se është duke hapur një procedurë administrative zyrtare “për të parandaluar shkëmbimin e paligjshëm të të dhënave me qëllimin për të arritur në një vendim para datës 15 maj.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i Whatsapp-it ka thënë se “azhurnimi ynë i fundit përfshin mundësi të reja që njerëzit do të duhet t’i dërgojnë një biznesi në Whatsapp dhe siguron transparencë të mëtejshme në lidhje me mënyrën se si ne mbledhim dhe përdorim të dhëna”.

Caspar ka vazhduar duke thënë se “duke pranuar kushtet e përditësuara të shërbimit të Whatsapp-it, përdoruesit nuk janë duke rënë dakord për ndonjë zgjerim në aftësinë tonë për të ndarë të dhëna me Facebook-un dhe se ky azhurnim nuk ndikon në privatësinë e mesazheve të tyre me miqtë apo familjarët”.

Sipas Reuters, lëvizja e rregullatorit hap një “front të ri” në Gjermani për politikat e privatësisë së Facebook-ut, të cilit i duhet të përballet tanimë me betejat ligjore të hapura nga rregullatori. Ky i fundit pretendon se praktikat e ndjekura të të dhënave, pasqyrojnë një abuzim të dominimit të tregut nga Facebook-u.

Privatësia në internet që prej vitit 2018 në Bashkimin Evropian i është nënshtruar një rregulli të quajtur Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR). Dhe mbikëqyrja e Facebook-ut udhëhiqet nga Irlanda meqenëse selia evropiane e kompanisë ndodhet atje.

Ajo çka po kërkon Caspar-i është pezullimi ose ngrirja tre mujore e mbledhjes së të dhënave të përdoruesve të Whatsapp-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore