Lajme

Sveçla për aksionin “Brezovica”: Lufta jonë ndaj krimit do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme


Xhelal Sfeçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se aksione si “rasti Brezovica” do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim kundër krimit, korrupsionit dhe zhvatësve të pasurisë publike.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka përgëzuar Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe të institucionet tjera për realizimin e suksesshëm të aksionit.

“Jemi te vendosur që të zbatojmë maksimalisht ligjin dhe të gjithë shkelësit e keqpërdoruesit të vendosen para drejtësisë dhe organeve kompetente”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Prokuroria e Shtetit ka filluar sekuestrimin e rreth 100 objekteve në rastin “Brezovica”.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar prokurori i rastit, Rasim Maloku.

“Sot jemi në Brezovicë për një operacion të sekuestrimit”, deklaroi shkurt Maloku për AP.

Edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, përmes njoftimit ka bërë të ditur se ka sekuestruar përkohësisht rreth 100 objekte të ndërtuara në zonën e Brevozicës.

Prokuroria ka vlerësuar se objektet janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuara nga Kuvendi i Kosovës.

Më 21 shtator, prokuroria Themelore në Ferizaj, ka dalë me komunikatë për shtatë personat të cilët u arrestuan në aksionin “Brezovica 6”, të njëjtit nga prokuroria është thënë dyshohen për veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Fajdeja” si dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Aksioni “Brezovica”, filloi më 21 dhjetor 2021 dhe është i udhëhequr nga prokurori Rasim Maloku nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në koordinim me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, të cilët kanë zhvilluar këtë aksion në Komunën e Shtërpcës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore