Lajme

Sërish sulmohet një njësi patrulluese e Policisë së Kosovës në veri


Policia e Kosovës në veri të Kosovës

Policia e Kosovës është sulmuar sërish në veri të Kosovës, mëngjesin e së martës.

“Po, rasti është raportuar tek ne, por për më shumë detaje pyesni në zyrën qendrore të Policisë së Kosovës, tha Besim Hoti, Zëdhënës në Policinë e Kosovës në Mitrovicën Veriore, për Albanian Post.

Baki Kelani zëdhënës i Policisë së Kosovës, e ka konfirmuar rastin duke treguar se në fshatin Zupçe të Zubin Potokut është sulmuar një njësi patrulluese kufitare e Policisë.

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, ka thënë Kelani për Albanian Post.

Kelani më tej ka njoftuar se Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve.

Para 10 dite, zyrtarë të policisë së Kosovës, ishin sulmuar në orët e hershme të mëngjesit në pjesën veriore të Kosovës.

Kështu kishte njoftuar vet policia në një njoftim zyrtar, ku mes tjerash thuhet se rreth orës 03:10 minuta në Sharpej të Jarinjes kanë ndodhur dy shpërthime që dyshohet të jenë nga mjetet piroteknike.

Marrë për bazë njoftimin zyrtarë, thuhet se sulmi është organizuar nga territori i Serbisë.

Me AK-47 dhe granata dore, sulmohet Policia e Kosovës në Veri

Të premten e 15 prillit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencë të jashtëzakonshme për media ka bërë të ditur se Polica e Kosovës është sulmuar për tri herë radhazi në Veri të Kosovës.

Sulmi i fundit, ka thënë Sveçla, ka ndodhur mëngjesin e sotëm.

“Rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për ta bërë ndërrimin në pikat kufitare”.

“Ky sulm tashmë me granate dore dhe A47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Sveçla, që në konferencë ishte bashkë me Drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti.

Sveçla, bëri të ditur se sulmet janë duke u kryer në forma të ndryshme, mirëpo në të njëjtën zonë.

“Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.

Ndryshe, katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore