Shqipëria

Sërish përplasje për çështjen Beleri, Greqia pretendon se vendimi i Apelit është kundër dispozitave


“Vendimi refuzues i sotëm ndaj Apelit të Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri dhe lënia në paraburgim nuk rezulton të përputhet me dispozitat e shtetit të së drejtës”.

Është ky reagimi i Ministrisë së Jashtme ruse, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, për ta lënë në burg kryetarin e zgjedhur të Bashkisë Himarë, lidhur me akuzat për shitblerje votash.

Sipas diplomacisë greke, nuk ka pasur trajtim të drejtë të përfaqësuesit të zgjedhur të pushtetit vendor.

Kjo, pasi “siç  vihet re nga Njoftimi i Gjykatës së Posaçme të Shqipërisë është i vetmi i arrestuar në 31 akuza të ngritura për shkelje të rregullores zgjedhore”.

Në reagimin e Ministrisë shkruhet po ashtu se ky vendim, ngre një pikëpyetje për ekzistencën e arsyeve politike në mbajtjen në paraburgim, pasi shkakton pengesa esenciale në marrjen e detyrës si kryebashkiak.

GJKKO-ja ka vendosur që ta lërë në burg Belerin, kryetarin e sapozgjedhur të Himarës.

Ndërkohë Pandeli Kokoveshi, i cili është bashkëpunëtor i Belerit, përfitoi nga një lehtësim mase, në detyrim paraqitje.

Gjatë seancës, avokatët kanë depozituar edhe prova të reja përsa i përket gjendjes shëndetësore të dy personave të dyshuar.

Kokaveshi përveç raporteve mjekësore kërkoi ndryshim mase edhe për shkak të fëmijës së mitur.

Ndërsa avokatët e Fredi Beleri insistojnë që nuk ka prova për “krimin” e klientit të tij.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e zhvilluar më 25 maj, ka certefikuar rezultatin, ku i jep mandatin edhe kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit i cili ndodhet në burg.

Si do të procedohet mandati i tij?

Ligji për qeverisjen vendore vëren se procedura që pritet të ndiqet për marrjen e mandatit është e tillë: brenda 20 ditëve nga shpallja e rezultatit mandati verifikohet nga Gjykata (Dhoma Civile).

Beleri nuk ka një vendim dënimi të formës së prerë dhe pritet që gjykata ta shpallë të vlefshëm mandatin e tij.

Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak bëhet betimi dhe më pas mund të konsiderohet kryetar bashkie.

Nëse Beleri mbetet në burg brenda tre muajve të ardhshëm dhe nuk do të paraqitet për betimin, Këshilli Bashkiak mund të kërkojë shkarkimin e tij, në bazë të pikës C të nenit 62 të ligjit.

Mundësia tjetër që Beleri nuk mund të mandatohet është ajo e shkarkimit nga Këshilli i Ministrave.

Referuar nenit 115 të Kushtetutës, Qeveria mund të shkarkojë një kryebashkiak për shkelje të rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve.

Për këtë, Këshillit të Ministrave do t’i duhej të merrte një vendim vetëm pasi Beleri të betohej dhe të bëhej kryebashkiak.

Precedentë të mëparshëm të kryebashkiakëve të akuzuar dhe më pas të shkarkuar me vendim qeverie pa pritur vendimin e gjykatave ka disa.

Të fundit ishin Fatos Tushe i Lushnjës dhe Lefter Alla i Bulqizës, por që të dy nuk u ankuan në Kushtetuese.

SPAK i akuzon të dy ish-zyrtarët për korrupsion me tenderat dhe shpërdorim detyre.

Qeveria nuk priti vendime të formës së prerë të drejtësisë për t’i shkarkuar.

Rasti i Belerit është i ngjashëm me atë të ish-kryebashkiakut të Bulqizës, pasi të dy akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore