Lajme

Sërish gjyq për milionerin që vrau Jan Kuciak, gazetarin që shkarkoi një Qeveri


Sllovakia ka njoftuar zhvillimin e një gjyqi të ri kundër drejtuesit të biznesit, Marian Kocner, për të cilin dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e gazetarit investigativ, Jan Kuciak, dhe të fejuarës së tij, Martina Kusnirova.

Zëdhënësja e gjykatës, Katarina Kudjakova, për agjencinë e lajmeve “DPA” konfirmoi se një gjyq i ri kundër milionerit Marian Kocner, nisi të hënën në Gjykatën Speciale për Krimin e Organizuar në Pezinok, në lindje të Bratislavës.

Gazetari investigativ, 27 vjeç, dhe e fejuara e tij u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në fshatin Velka Maca, më 21 shkurt 2018.

Kuciak kishte mbuluar marrëdhëniet mes biznesit dhe politikës në vend.

Raporti i tij i fundit, i publikuar pas vdekjes, shkaktoi demonstrata masive, që çuan në dorëheqjen e Qeverisë.

Hetimi kundër Kocner-it, sipërmarrësit të akuzuar si urdhërues i vrasjes, zbuloi ekzistencën e një rrjeti të gjerë korrupsioni.

Që atëherë janë arrestuar shumë gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë të policisë.

Kur, Kocner dhe bashkëpunëtorja e tij e supozuar, e cila po identifikohet si Alena Zs, u liruan në shtator 2020 për shkak të mungesës së provave, pati një protestë ndërkombëtare.

Në qershor, Gjykata e Lartë e vendit la në fuqi një apel të Prokurorisë, duke rrëzuar vendimet e pafajësisë.

Duke qenë të dënuar për krime të tjera, Kocner dhe Zs do të qëndrojnë në burg për vite me radhë, edhe nëse Gjykata i shpall të pafajshëm për akuzën e vrasjes së dyfishtë.

Sipas Kudjakovës, akuzat në gjyqin e javës së ardhshme nuk kanë të bëjnë vetëm me vrasjen e dyfishtë, por edhe me disa vrasje të tjera, që dyshohet se dyshja i kishte planifikuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore