Sport

Serie A/ Torino i ‘fal’ barazimin Empoli-t


Sfida mes Torino-s dhe Empoli-t, e luajtur për javën e 15 në Serie A italiane nuk ka shkuar më shumë se një barazim në shifrat 2-2.

Vendasit po fitonin me shifrat 2-0. Rezultat të cilin nuk arritën ta mbanin deri në fund të 90 minuteshit. Tre pikë të shpërdoruara nga të besuarit e Ivan Juric-it.

Ndeshja ishte me dy fytyra për secilën skuadër. Në pjesën e parë dominuese ishte Torino. Në të dytën dominuan miqtë, kjo dhe falë kartonit të kuq të vendasve në pjesën e parë.

Goli i parë i takimit u shënua nga Tommaso Pobega. 22-vjeçari e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 10. Pesë minuta pas tij, rezultati u dyfishua falë golit të Marco Pjaca-s.

Torino dukej sikur kishte gjithçka në dorë deri në minutën e 32. Wilfierd Singo la vendasit me 10 lojtarë pas kartonit të kuq, për faull profesional. Lojtari nga Bregu i Fildisht u ndëshkua me të kuq pas konfirmimit nga ana e VAR-it.

Empoli do të ngushtonte diferencat me anë të kapitenit, Simone Romagnoli-t, në të 34 minutë. Goli i të cilit do të vuloste shifrat në 2-1 për pjesën e parë.

Miqtë do të barazonin gjithçka në minutën e 72 të pjesës së dytë. Andrea la Mantia e dërgon topin në rrjetë pas vetëm 10 minutave që kishte hyrë në fushën e lojës.

Në këtë takim u aktivizuan edhe dy futbollistët shqiptar. Mërgim Vojvoda për Torino-n dhe Nedim Bajrami për Empoli-n.

Vojvoda u aktivizua nga minuta e 35. Bajrmi u fut në fushë në minutën e 53. Shqiptarët e tjerë, që janë pjesë e Empoli-t, Samir Ujkani, Ardian Ismajli dhe Kristian Asllani e panë ndeshjen nga stoli.

Skuadrat ndanë nga një pikë që i çon përkatësisht, Torino-n në kuotën e 18 pikëve dhe Empoli-n në kuotën e 20 pikëve. Miqtë renditen në vendin e 11 dhe vendasit në të 13-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore