Përballje

Serie A, Napoli dhe Milan kërkojnë këndelljen


Java e 14-të e Serie A-së vjen edhe me pesë ndeshje të tjera gjatë ditës së diel.

Fitorja e Atalanta-s te Juventus-i dhe triumfi i Inter-it në Venezia, i kanë vënë nën presion skuadrat kryesuese.

Bëhet fjalë për Napoli dhe Milan, që luajnë sot.

Dita në Serie A nis herët, me ndeshjen e zakonshme të orës 12:30, që përballë njëra-tjetrës do të shoh Udinese – Genoa.

Më pas, në orarin e pasditës, 15:00, zhvillohen dy ndeshje tjera.

Spezia pret Bologna-n, dhe luan Milan-i.

Kuqezinjtë në ndeshjen që do luhet përballë Sassuolo-s në “San Siro”, vijnë pas një fitore shumë të rëndësishme në Champions League.

Sot, në Serie A, ata do të tentojnë që të lënë prapa humbjen e javës që shkoi nga Fiorentina.

Kundërshtar i tyre është Sassuolo, një skuadër që i ka shkaktuar jo pak probleme në vitet e fundit.

Fitorja e Inter-it i sheh kuqezinjtë të detyrohen për fitore, nëse dëshirojnë që të mbajnë komoditetin në pjesën e lartë të tabelës.

Sassuolo në anën tjetër nuk po kalon formë fare të mirë, me dy humbje dhe një barazim në tri ndeshjet e fundit.

Tri orë më vonë, në 18:00, Roma e pret Torino-n.

Skuadra e Mourinho-s është e detyruar që të gjejë fitoren, për shkak se Atalanta ka ikur tashmë me gjashtë pikë në vendin e katërt.

Roma nuk mund të përmirsohet më shumë se vendi i pestë këtë javë, derisa një fitore eventuale, Torino-n do e ngjiste në vendin e nëntë në tabelë.

Kurse, në orën 20:45, luhet kryendeshja e ditës.

Në stadiumin “Diego Armando Maradona”, Napoli pret Lazio-n.

Skuadra e Spalletti-t, e rrethuar nga mungesat, pret një Lazio që nuk po kalon një formë shumë të mirë.

Kryeqytetasit kanë vetëm dy fitore nga pesë ndeshjet e fundit. Napoli në anën tjetër kërkon të kthehet te fitorja, pasi humbi ndeshjen e parë javën që shkoi përballë Inter-it.

Edhe napoletanët janë në situatë të njëjtë si Milan-i, një fitore sonte është e domosdoshme për të ruajtur rahatinë në krye.

Me këto ndeshje, mbyllet java e 14-të në Serie A.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore