Përballje

Serie A: E enjtja vjen me dy përballje direkte për Ligën e Kampionëve


Në kampionatin italian, po zhvillohet një luftë e ashpër për pozitat të cilat dërgojnë klubet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, ku gjashtë skuadra po garojnë për tre vende.

Mbrëmja e së enjtes, vjen me dy ndeshjet e fundit të javës së 32-të në Serie A, të cilat ofrojnë edhe dy përballje direkte për këtë objektiv.

Roma do të provojë ndoshta shansin e fundit për një nga këto pozita, ku do të pres Atalantën në stadiumin “Olimimpico” të kryeqytetit italian me fillim nga ora 18:30.

Verdhekuqtë vijnë në këtë sfidë pas humbjes 3:1 ndaj Torinos në fundjavën e kaluar, dhe do të kenë përballë një ndër skuadrat më në formë në Serie A.

Në anën tjetër, Atalanta e mposhti Juventusin të dielën e kaluar dhe në rast të suksesit edhe ndaj Romës, do të ngjiteshin në pozitën e dytë në tabelë, dhe në një mënyrë, do të siguronin vendin për të luajtur në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Atalanta udhëton në kryeqytet, pas një forme të shkëlqyer në Serie A, të cilët në pesë ndeshjet e fundit, kanë arritur po aq fitore, ndërsa Roma në pesë sfidat e fundit ka arritur vetëm një fitore, kundrejt një barazimi dhe tre humbjeve.

Roma gjendet në pozitën e shtatë në tabelë me 54 pikë, ndërsa Atalanta ka 10 pikë më shumë dhe pozicionohet e katërta.

Super ndeshja tjetër për zonën Champions, do të zhvillohet në stadiumin “Diego Armando Maradona”, aty ku Napoli e pret Lazion.

Napoli vjen në këtë përballje pas barazimit me Interin në fundjavën e kaluar dhe kanë zbritur në vendin e pestë në tabelë, ndaj sot duhet patjetër të synojnë tre pikët, për të ruajtur hapin e skuadrave që kanë më lart në renditje.

Në anën tjetër, Lazio, të cilët kanë një ndeshje më pak të zhvilluar se rivalët e tyre, udhëtojnë në Napoli për të synuar tre pikët që do t’i mbante shpresat gjallë për vendin e katërt në tabelë.

Napoli në pesë ndeshjet e fundit në Seire A, ka realizuar tre fitore, një barazim dhe një humbje, ndërsa Lazio, janë në në formë të shkëlqyer, të cilët në pesë takimet e fundit në Serie A, kanë realizuar po aq fitore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore