Sport

Serie A/ Bie dhe “kështjella” e fundit e pamposhtur në Top Pesë ligat


Juventus-i ka arritur që të “pushtoi kështjellën” e fundit të pamposhtur në pesë ligat kryesore të Europës, Milan-in. Pas gati 10 muajsh dhe 27 ndeshjesh në total, ekipi i Stefano Pioli-t i ndikuar dhe nga shtatë mungesa të rëndësishme, nuk ka mundur që t’i bëjë ballë bardhezinjëve, duke u mundur me rezultatin 1-3 në “San Siro”.

Fillimisht do të shënonin miqtë nga Torino, me anë të italianit, Frederico Chiesa, në minutën e 18’ të takimit, pas një asisti perfekt nga Paolo Dybala, me thembër, që e nxori Chiesa-n përballë Gigi Donnarumma-s, duke mos e patur të vështirë që ta mposht këtë të fundit.

Reagimi i vendasve do të vinte në minutën e 41’ të pjesës së parë, pas një kundërsulmi që e kapi të papërgatitur shumë mirë në prapavijë Juventus-in. Rafael Leao jep një top në hyrje të zonës juventine për Davide Calabria-n, me këtë të fundit që e dërgon në rrjet, duke e mbyllur pjesën e parë në shifrat 1-1.

Me fillimin e pjesës së dytë, të dyja ekipet do të vazhdonin të kërkonin golin, por do të ishin përsëri juventinët që do të kalonin në avantazh në minutën 62’ dhe pikërisht me Chiesa-n që shënoi golin dhe Dybala-n që asistoi, për ta çuar ndeshjen në 1-2.

Fill pas golit të dytë personal dhe për Juventus-in, trajneri Andera Pirlo, zvendëson dyshen Chiesa-Dybala dhe në lojë futet dyshja tjetër Weston McKennie dhe Dejan Kulusevski.

Një zvendësim i qëlluar nga ana e Pirlo-s, pasi kjo dyshe që hyri në fushë, në një kombinim me njëri-tjetrin, në minutën e 76’ të takimit, me asist të Kulusevski-t, McKennie arrin që të shënoi golin e tretë dhe të fundit në portën e Donnarumma-s.

Minutat e mbetura nuk sollën ndryshime të tjera në rezultatin e takimit, ndonëse u tentua herëpashere goli nga të dy ekipet.

Me gjithë humbjen, Milan-i duke përfituar edhe nga humbja e Inter-it përballë Sampdoria-s, qëndron në krye të Serie A, me 37 pikë, ndërsa Juventus-i është në vendin e katërt me 30 pikë, por me një ndeshje më pak.

Vlerësimet e ekipeve sipas Sofascore:

Milan: Donnarumma 6.2, Hernandez 6.3, Romagnoli 6.2, Kjaer 6.5, Dalot 6.6, Calabria 7.4, Calhanoglu 7.9, Kessie 6.7, Hauge 6.2, Castillejo 6.7 dhe Leao 7.2, ndërsa performanca totale e ekipit vlerësohet me notën 6.69.

Juventus; Szczesny 8.3, Danilo 7.1, Bonucci 7, De Ligt 6.9, Frabotta 6.7, Ramsey 7, Bentacur 6.8, Raboit 6.9, Chiesa 8, Dybala 7.6 dhe Ronaldo 7.5, ndërsa performanca totale e  ekipit vlerësohet me notën 7.12.

“Lojtari i Ndeshjes” ishte portieri i Juventus-it, Wojciech Szczesny, i vlerësuar me notën 8.3 dhe bëri tetë pritje, tre nga të cilat ishin brenda zonës së 11m, që nëse nuk do të gjenin një super Szczesny, padiskutim që rezultati do të ishte ndryshe./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore