Sport

Serie A/ Bajrami nuk mjafton, Milan fiton ndaj Empoli-t por gjymtohet (VIDEO)


Milan ka arritur një fitore disi të vuajtur 3-1 përballë Empoli-t në transfertë. Dy skuadrat u përballen në “Carlo Castellani” për llogari të javës së tetë të Serie A. Ndeshja ishte e luftuar nga të dyja skuadrat, ndonëse tri pikët do i merrnin kuqezinjtë.

Goli i parë i sfidës u shënua, pas një gabimi në prapavijën e vendasve që lanë zbuluar Rafael Leao-n. Me këtë të fundit që dhuroi topin të cilin Ante Rebic e dërgoi në rrjetë në miutën e 79.

Lojtari i përfaqësuses së Shqipërisë, Nedim Bajrami do të barazonte shifrat e takimit në minutën e dytë shtesë.

Por, dy minuta pas golit të mesfushorit do të vinte goli i avantazhit për Milan-in. Mbrojtësi i majtë, Fode Ballo-Toure ishte autori kësaj radhe.

Francezi shpërbleu besimin e trajnerit, pasi mori vendin e Theo Hernandez-it në formacionin kuqezi. Me këtë të fundit që është i dëmtuar dhe mungonte në këtë takim.

Kur ndeshja po shkonte drejt përfundimit, në minutën e 90+7, Leao realizoi golin që vulosi shifrat përfundimtare në 3-1.

Me rezultatin e kësaj ndeshje, Milan ngjitet në vendin e tretë në Serie A me 17 pikë. Tre më pak se Napoli kryesues dhe një më pak se Udinese e vendit të katërt, por që ka një ndeshje më pak. Empoli ka shtatë pikë dhe mban vendin e 14 në renditje.

Mirëpo, kjo fitore i kushtoi shtrenjtë kuqezinjve, pasi Alexis Saelemaekers, Davide Calabria dhe Simon Kjaer u detyruan ta mbyllin takimin para kohe për shkak dëmtimi.

Në minutën e 33 belgu, Saelemaekers i la vendin Rade Krunic-it. Teksa në minutën e 39 ishte Calabria qe demtohej dhe më pas i linte vendin Pierre Kalulu-t.

Dëmtimi i fundit erdhi në minutën e 73 dhe ishte radha e Kjaer. Danezi që kishte bërë një ndeshje të madhe deri në ato minuta, gjithashtu la fushën e blertë. Në vend te tij u aktivizua Sergino Dest.

Shkalla e dëmtimit të tre lojtarëve të sipërpërmendur nuk dihet ende, por Stefano Pioli tashmë është me “dhimbje” koke, pasi ka tre sfida të rëndësishme para. Milan luan përballë Chelsea në Champions League (dy ndeshje) dhe Juventus-it në Serie A.

Milan ka gjithashtu të dëmtuar Theo Hernandez, Mike Maignan, Alessandro Florenzi, Divock Origi dhe Zlatan Ibrahimovic.

Ndeshjet e tjera të javës së tetë në Serie A do të zhvillohen:

Të dielën

Sassuolo – Salernitana

Sampdoria – Monza

Lecce – Cremonense

Atalanta – Fiorentina

Juventus – Bologna

Të hënën

Hellas Verona – Udinese

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore