Përballje

Serie A/ Atalanta shkatërron Udinese-n, Napoli fiton me vështirësi ndaj Sampdoria-s


Skuadra e Atalanta-s po vazhdon të jetë në formë të shkëlqyer, teksa në ndeshjen e javës së 21-të në Serie A, kanë mposhtur Udinese-n në udhëtim, me rezultat 2:6.

Bergamaskët e nisën takimin në mënyrën më të mirë, të cilët që në pjesën e parë shënuan tre gola, ku realizues ishin: Pasalic, Muriel dhe Malinovsky.

Edhe në pjesën e dytë, mysafirët dominuan ndeshjen, të cilët realizuan edhe tre herë, ku përsëri Muriel gjeti rrugën e rrjetës, ndërsa dy golat tjerë u shënuan nga Maehle dhe Pessina.

Ndërsa krejt çka arritën mysafirët në këtë ndeshje, ishin dy golat e shënuar nga Molina dhe Beto.

Me këtë fitore, skuadra e Atalanta-s përforcon pozitën e katërt në tabelë me 41 pikë të grumbulluara, ndërsa Udinese gjendet në vendin e 14-të me 20 pikë.

Ndërkohë, fitore të vështirë arriti edhe Napoli, të cilët mposhtën në shtëpi Sampdoria-n, me rezultat minimal 1:0.

Ish-sulmuesi i Milan-it, Andrea Petagna, shënoi golin e vetëm në këtë takim pak para se të mbyllej pjesa e parë, për tre pikë shumë të vlefshme për napolitanët.

Vlen të theksohet se në këtë takim, sikurse në gjithë të tjerët, luajti edhe Amir Rrahmani, i cili pati një paraqitje shumë të mirë.

Me këtë fitore, Napoli qëndron në pozitën e tretë me 43 pikë, ndërsa Sampdoria mban pozitën e 15-të me 20 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore