Sport

Seria A/ Pretendetët zbresin në fushë


Seria A do të luajë ditën e diel gjashtë ndeshjet e mbetura të javës së 30. Ndeshjet fillojnë në 12:30 me Inter – Cagliari dhe mbyllen me sfidën e orës 20:45 Fiorentina – Atalanta.

Inter-i do të presë Cagliari-n në “Giuseppe Meazza”. Zikaltrit e Antonio Conte-s renditen në vendin e parë të kampionatit me 71 pikë. Miqtë gjenden në vendin e 18 me 22 pikë.

Ndeshja e fundit mes dy ekipeve, gjate fazës se pare te Serise A, përfundoi me rezultatin 1-3 për Inter-in. Fillimisht shënoi Riccardo Sottil-i për 1-0. Inter-i e ktheu ndeshjen falë golave të Nicolo Barella-s, Danilo D’Ambrosio-s dhe Romelu Lukaku-t.

Në orën 15:00, në “Marc Antonio Bentegodi”, Hellas Verona do të presë Lazio-n. Verona gjendet në vendin e tetë me 41 pikë, kundrejt vendit të gjashtë dhe 52 pikëve që kanë miqtë nga kryeqyteti.

Ndeshja e fundit mes dy ekipeve, përfundoi me rezultatin 1-2 për Verona-n. Fillimisht shënoi autogol, Manuel Lazzari, për 0-1. Ndeshja u barazua përkohësisht nga Felipe Caicedo dhe goli i fitores erdhi nga Adrien Tameze.

Juventus-i do të presë Genoa-n në “Allianz Stadium” duke filluar nga ora 15:00. Bardhezinjtë gjenden në vendin e tretë në kampionat, me 59 pikë, kundrejt 32 pikëve dhe vendit të 13 që kanë miqtë.

Ndeshja e fundit në kampionat mes dy ekipeve, përfundoi me rezultatin 1-3 për Juventus-in. Goli i Paulo Dybala-s dhe dopieta e Cristiano Ronaldo-s i dhanë tri pikët bardhezinjëve. Për Genoa-n shënoi Stefano Sturaro.

Ndeshja tjetër e orës 15:00 është ajo midis Sampdoria-s dhe Napoli-t, në “Luigi Ferraris”. Vendasit renditen në vendin e 10 me 36 pikë, kundrejt vendit të pestë dhe 56 pikëve që ka Napoli.

Përballja e fundit e dy ekipeve, përfundoi me rezultatin 2-1 për Napoli-n. Fillimisht shënuan miqtë me Jakub Jankto-n, por golat e Hirving Lozano-s dhe Andrea Petagna-s sollën përmbysjen e rezultatit.

Duke filluar nga ora 18:00, Roma do të presë Bologna-n në “Stadio Olimpico”. Verdhekuqtë renditen në vendin e shtatë me 51 pikë, kundrejt vendit të 11 dhe 34 pikëve që ka Bologna.

Ndeshja e fundit mes dy ekipeve, përfundoi me rezultatin 1-5 për skuadrën e kryeqytetit. Goli i parë për Roma-n erdhi si pasojë e një autogoli të Andrea Poli-t dhe më pas shënuan Edin Dzeko, Lorenzo Pellegrini, Jordan Veretout dhe Henrikh Mkhitaryan-i. Goli i vetëm për Bologna-n ishte si pasojë e autogolit te Bryan Cristante-s.

Ndeshja e fundit e së dielës në Serinë A do të jetë ajo mes Fiorentina-s dhe Atalanta-s. Dy ekipet do të përballen në “Stadio Artemio Franchi” duke filluar nga ora 20:45. Fiore renditet në vendin e 15 me 30 pikë, kundrejt vendit të katërt dhe 58 pikëve që kanë miqtë nga Bergamo.

Ndeshja e fundit mes dy ekipeve ka përfunduar me rezultatin 3-0 për Atalanta-n. Golat u shënuan nga Robin Gosens-i, Ruslan Malinovskyi dhe Rafael Toloi.

Ndeshja e fundit e javës së 30 në Serinë A është ajo midis Benevento-s dhe Sassuolo-s, që do të luhet ditën e hënë në “Stadio Ciro Vigorito” duke filluar nga ora 20:45.

Ditën e shtunë u luajtën tre ndeshje të javës së 30. Spezia – Crotone, që përfundoi me rezultatin 3-2, Parma – Milan 1-3 dhe Udinese – Torino 0-1.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore