Sport

Seria A/ Pretendenët për titull dhe zonën Champions zbresin në fushë


Seria A do të luajë ditën e diel gjashtë ndeshje për llogari të javës së 31. Në fushë zbresin ekipet e mëdha Inter-i, Juventus-i, Milan-i, Napoli, Lazio, Roma dhe Atalanta.

Ndeshja hapëse e ditës së diel në Serinë A është Milan – Genoa. Në “San Siro” duke filluar nga ora 12:30, ekipi i Stefano Pioli-t do të kërkojë të ruajë ritmin dhe vendin e dytë në kampionat. Përballë do të ketë Genoa-n që gjendet në mesin e artë të tabelës.

Milan-i ka 63 pikë në renditje, 11 pikë më pak se Inter-i i vendit të parë dhe një pikë më shumë se Juventus-i i vendit të dytë.

Mungesa të rëndësishme në të dy kampet janë Zlatan Ibrahimoviç-i dhe Davide Calabria për Milan-in, si dhe Domenico Criscito dhe Davide Zappacosta për Genoa-n.

Ndeshja e fazës së parë midis dy ekipeve përfundoi në shifrat 2-2. Mattia Destro shënoi dy gola për Genoa-n, ndërsa për kuqezinjtë shënuan Calabria dhe Pierre Kalulu.

Duke filluar nga ora 15:00 në stadiumin “Gewiss” Atalanta do të presë Juventus-in. Të dy ekipet renditen përkatësisht në vend të katërt Atalanta dhe në të tretin Juventus-i. Një pikë më shumë ka në renditje Zonja e Vjetër, që 62 pikë në total.

Mungesa të rëndësishme për këtë sfidë janë Cristian Romero dhe Hans Hateboer-i për Gian Piero Gasperini-n, ndërsa për Andrea Pirlo-n mungojnë Cristiano Ronaldo dhe Federico Bernardeschi.

Ndeshja e parë gjatë këtij sezoni, e luajtur në Torino përfundoi me rezultatin 1-1. Federico Chiesa shënoi për bardhezinjtë dhe Remo Freuler-i për Atalanta-n.

Bologna do të presi Spezia-n në stadiumin “Renato Dall’Ara” duke filluar nga ora 15:00. Vendasit renditen në vendin e 12 me 34 pikë, kundrejt vendit të 14 dhe 32 pikëve që ka ekipi i Ardjan Ismajlit.

Për Sinisa Mihajloviç-in mungojnë Takehiro Tomiyasu, Federico Santander-i, Garay Medel-i dhe Aaron Hickey. Për Vincenzo Italiano-n mungojnë Juan Ramos-i dhe Riccardo Saponara.

Ndeshja e fundit mes dy ekipeve në fazën e parë të Serisë A përfundoi me rezultatin 2-2. M’Bala Nzola shënoi dy herë për Spezia-n dhe Mattias Svanberg-u dhe Musa Barrow shënuan për Bologna-n.

Lazio do të presë në stadiumin “Olimpico” Benevento-n, duke filluar nga ora 15:00. Dueli ndër të tjera do të jetë edhe një duel mes vëllezërve Simone dhe Filippo Inzaghi-t.

Lazio renditet në vendin e gjashtë me 55 pikë, gjashtë pikë larg zonës Champions. Benevento renditet në vendin e 15 me 30 pikë, pesë pikë më shumë se Cagliari i vendit të 18, që rrezikon rënien nga kategoria.

Për Simone Inzaghi-n pritet të mungojnë Luis Felipe, Lucas Leiva, Felipe Caicedo dhe Danilo Cataldi. Për Filippo-n pritet të mungojnë Alessandro Tuia, Daam Foulon-i dhe Gabriele Moncini.

Ndeshja e fundit mes dy ekpive përfundoi me rezultatin 1-1. Pasquale Schiattarella shënoi për Beneventon dhe Sergej Milinkoviç-Saviç për Lazio-n.

Në orën 18:00, Torino do të presë Roma-n në stadiumin “Olimpico Grande Torino”. Vendasit gjenden në vendin e 17 të renditjes me 27 pikë, dy pikë më shumë se zona që të dërgon një kategori më poshtë, që mbahet nga Cagliari, por kanë edhe dy ndeshje më pak. Roma renditet në vendin e shtatë me 54 pikë.

Për Davide Nicola-n do të mungojë Salvadore Sirigu, ndërsa për Paulo Fonseca-n do të mungojnë një listë e gjatë lojtarësh si: Stephan el Shaarawy, Nicolo Zaniolo, Marash Kumbulla, Chris Smalling-u, Leonardo Spinazzola dhe Lorenzo Pellegrini.

Ndeshja e fundit mes dy ekipeve përfundoi me rezultatin 3-1 për Roma-n. Henrikh Mikhitaryan-i, Jordan Veretout dhe Pellegrini shënuan për verdhekuqtë. Golin e vetëm të takimit për Torino-n e shënoi Andrea Belotti.

Ndeshja e fundit e javës së 31 në Serinë A është ajo midis Napoli-t dhe Inter-it. Ndeshja do të luhet duke filluar nga 20:45, në stadiumin “Diego Armando Maradona”.

Inter-i mban vendin e parë në Serinë A me 74 pikë, ndërsa Napoli renditet në vendin e pestë me 59 pikë. Napolitanët janë vetëm një pikë larg zonës Champions.

Në këtë ndeshje, Napoli i Gennaro Gatruso-s do të jetë pa Hirving Lozano-n, Faouzi Ghoulam-in dhe David Ospina-n. Për Antonio Conte-n pritet të mungojnë Aleksandar Kolarov-i dhe Arturo Vidal-i.

Ndeshja e fundit mes dy ekipeve, e luajtur gjatë fazës së parë, përfundoi me rezultatin 1-0 për Inter-in. Golin e fitores për zikaltrit e shënoi Romelu Lukaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore