Biznes

Seria A me dhimbje koke për të drejtat e transmetimit


Klubet e elitës së futbollit italian duhet të vendosin deri më 29 mars lidhur me shitjen e të drejtave të transmetimit. Në tavolinë janë ofertat nga DAZN dhe nga partneri mediatik i transmetimeve prej një jete, Sky.

Ditën e sotme, më 26 mars, 20 ekipet e Seria A do të votojnë për të pranuar njërën mes të dy ofertave. DAZN-i ka paraqitur një ofertë ndjeshëm më të lartë krahasuar me Sky-n. Kompania që do të përzgjidhet, do të ketë të drejtat e transmetimit për pjesën më të madhe e më të rëndësishme të ndeshjeve të kampionatit italian të futbollit, për sezonet nga 2021 në 2024.

DAZN, një kompani e transmetimit televiziv në internet, ka ofruar rreth 840 milionë euro për sezon. Në krahun tjetër, gjigandi mediatik Sky, ka sjellë një ofertë më konservatore prej 750 milionë eurosh për garën e transmetimit të Seria A. Të dyja ofertat pasqyrojnë krizën ekonomike që ka prekur edhe sportin.

Ekipet në Itali janë të përçara përsa i përket vendimmarrjes. Ata duhet të zgjedhin njërën mes dy kompanive deri më 29 mars, përndryshe do të duhet ta rinisin procedurën nga e para.

Në votimin e parë të kryer të martën e 23 marsit, 11 ekipe, mes të cilave Juventus, Milan dhe Inter, kanë votuar ofertën e DAZN-it. Për të përzgjedhur një fitues, oferta duhet të ketë mbështetjen e të paktën 14 klubeve në votim.

“Jam i shqetësuar se si do ta prisnin tifozët ndryshimin. Ata janë mësuar të abonohen ne Sky e t’i shohin ndeshjet në televizor”, tha presidenti i klubit Sampdoria, Masimo Ferrero.

Mungesa e mbështetjes pavarësisht ofertës ndjeshëm më të lartë, ka frustruar bordin ekzekutiv të DAZN-it. Ata kanë dhënë shenja se në rast të një ripërsëritjeje të ankandit, nuk kanë ndërmend të ofrojnë më kaq shumë para. 

Nga ana tjetër, edhe Sky ka treguar se nuk do të shkojë përtej ofertës së prezantuar më herët.

Ky ankand tregon edhe njëherë se koha e kontratave për  të drejtat e transmetimit është drejt perendimit. Humbjet e platformave mediatike ndaj atyre në internet, si rasti i Netflix, i ka detyruar gjigandet e vjetër mediatikë të reduktojnë ofertat edhe për kontratat e të drejtave televizive. Sigurisht, Covid-19 nuk e ka ndihmuar situatën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore