Sport

Seria A/ Juventus-i bie në Bergamo, Lazio pranë Champions-it, Ismajli shënon gol


Kanë përfunduar tre ndeshjet e orës 15:00 në Serinë A italiane. Atalanta ka mundur Juventus-in, Lazio ka mposhtur Benevento-n dhe Bologna ka fituar përballë Spezia-s.

Në “Gewiss Stadium” Atalanta ka fituar minimalisht përballë Juventus-it. Ekipit të Gian Piero Gasperini-t i ka mjaftuar goli i Ruslan Malinovskyi-t në minutën e 87 të takimit.

Me fitoren e arritur, Atalanta ngjitet në vendin e tretë të Serisë A me 64 pikë. Juventus-i bie në pozitën e katërt në renditje, duke rrezikuar vendin për në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Lazio dhe Benevento kanë shpërthyer në gola në “Stadio Olimpico”. Pesë herë shënoi Lazio në portën mike, kundrejt tre herëve që shënuan miqtë.

Serinë e golave e hapi Fabio Depaoli, pasi në mintën e 10 shënoi autogol, duke i dhënë avantazhin Lazio-s. Ciro Immobile shënoi për 2-0 në minutën e 20 të takimit dhe Joaquin Correa shënoi për 3-0 në të 37’. Në minutën e fundit të pjesës së parë shënoi Benevento për 3-1, me anë të Marco Sau-t.

Me fillimin e pjesës së dytë, miqtë do të shënonin përsëri autogol. Kësaj radhe ishte portieri, Lorenzo Montipo, autogoli i të cilit e çonte rezultatin në 4-1. Në të 55’, Immobile humb penalltinë përballë Montipo-s.

Miqtë shënojnë golin e dytë në të 63’ me anë të Nicolas Viola dhe golin e tretë e shënojnë në të 85’ me anë të Kamil Glik-ut. Goli i fundit i takimit, që do të vuloste shifrat në 5-3, do të vinte në 90+6’ të kohës shtesë nga Immobile.

Lazio me tri pikët e marra në këtë takim gjendet tashmë në vendin e gjashtë me 58 pikë, katër pikë larg zonës Champions. Benevento mbetet në vendin e 16 me 30 pikë.

Në ndeshjen tjetër të orës 15:00, midis Bologna-s dhe Spezia-s, kanë fituar vendasit me rezultatin 4-1. Serinë e golave do ta hapte Riccardo Orsolini në të 12’ dhe gjashtë minuta më vonë do dyfishonte shifrat Musa Barrow.

Ardian Ismajli do të ngushtonte rezultatin në të 34’, në 2-1. Goli i lojtarit të Kombëtares së Shqipërisë do të vuloste edhe shifrat e takimit për pjesën e parë. Në pjesën e dytë, Mattias Svanberg-u shënoi dy gola, përkatësisht në të 54’ dhe 60’.

Me tri pikët e marra në këtë takim, Bologna renditet në vendin e 11 me 37 pikë, kunderjt vendit të 14 dhe 32 pikëve që ka Spezia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore