Sport

Ana tjetër e Sergio Ramos (pjesa e parë)


“Nuk dua të jem një më tepër në futboll, dua të jem më i miri në atë që bëj”.

Kështu filloi deklarata ekskluzive për shtyp e Sergio Ramos, i cili foli rreth shumë gjërave, duke përfshirë situatën e tij te Real Madrid-i dhe dokumentarin që po përgatitet për karrierën e tij.

Situata e Ramos-it është më e nxehta në “botën” e rinovimeve tani.

Me kontratën e tij, që skadon në qershor të këtij viti, ai është në mëdyshje për të ardhmen se a do të jetë te Real Madrid-i, apo do vazhdojë diku tjetër.

16 sezone tashmë me fanellën e Real Madrid-it, trofetë e shumtë që ka fituar dhe performancat ikonike që ka shfaqur, kanë zënë faqe shumë të rëndësishme në librat e historisë “Los Blancos”.

Ramos ishte jashtë fushave për një periudhë dymujore dhe tashmë më në fund është kthyer në stërvitje.

“Më në fund jam rikthyer me skuadrën dhe qëllimi është ta ndihmoj skuadrën me performanca të mira”, tha Ramos, “kemi shumë tituj në linjë, dhe dëshiroj që t’i fitoj ato dhe t’i ndajmë bashkë me tifozët”.

“Ishte e vështirë kur ndaluam për shkak të pandemisë. Edhe ne jemi njerëz, kemi ndjenja dhe mërzitemi”, shtoi Ramos. “Ishte vit i vështirë dhe kishte gjëra më të rëndësishme se futbolli. I  falënderojmë të gjithë që ndihmuan gjatë kësaj kohe të vështirë”.

Ramos flet edhe për moshën e tij, “Nuk mendoj që ka lojtar të vjetër apo të rinj”, thotë ai. “Ka vetëm lojtarë të mirë dhe të dobët”.

“Veprimi më i mençur është nëse qëndrojmë të diferencuar nga veprimet e gjyqtarëve, jam në favor të VAR”.

I pyetur për skuadrën më të fortë ndaj të cilës ka luajtur, ai është përgjigjur, “Barcelona e Guardiola-s, ata më komplikonin jetën”.

Gjithashtu ka folur edhe për lojtarët që e kanë frymëzuar, “Hierro, Ronaldo Nazario, Canniga, Rivaldo, Pablo Alfaro, Prieto dhe Maldini, të gjitha kanë qenë referencë për gjërat që kam arritur në karrierë”.

“Zlatan Ibrahimovic është një krenari për botën e futbollit”, thotë Ramos, “kam një respekt të veçantë për të”.

Sa i përket Cristiano Ronaldo-s, ka thënë, “Isha i lumtur që mund ta ndaja dhomën e zhveshjes me lojtar si ai. Po ashtu me futbollistë si: Beckham, Raul, Carlo e shumë të tjerë. Po ashtu me Puyol, Xavi dhe Iniesta te Spanja”.

Në fund ka folur për të ardhmen dhe dokumentarin, “Mediat thonë shumë gjëra rreth së ardhmes sime, por unë mund të them që nuk ka asgjë të re, asgjë nuk ka ndryshuar deri më tani”.

“Njerëzit më njohin si ai që jam në fushë, por unë dua që t’u shfaqë atyre një anë tjetër time. Dokumentari im do të tregojë një pjesë të jetës sime personale”.

Përkundër raporteve që Ramos do flasë rreth së ardhmes së tij sot, kapiteni i Real Madrid ende mbetet i heshtur dhe e lë në ajër gjithë të ardhmen e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore