Sport

Sergi Roberto kundërshton trajnerin Koeman


Trajneri holandez, Ronald Koeman po kalon momente të vështira me klubin e tij Barcelona.

Me shumë mundësi ai do të shkarkohet nga detyra e trajnerit, pas rezultateve të dobëta në këtë fillim sezoni.

Tre barazime, dy fitore në La Liga dhe humbja me Bayern Munich në Ligën e Kampionëve, kanë bërë që Koeman të vihet në dyshim për të ardhmen te Barcelona.

Madje edhe vet 58-vjeçari, duke pasur parasysh që drejton një klub të madh si Barcelona, pritshmëritë i ka mjaft modeste.

Në një intervistë të dhënë për mediat spanjolle, trajneri holandez tha se synimi i Barcelonës në këtë sezon është pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve, në sezonin e ardhshëm, që do të thotë se ata synojnë vendin e katërt.

Për këtë deklaratë të dhënë më herët, Koeman u sulmua indirekt nga futbollisti i tij, Sergi Roberto.

I pyetur nëse ekipi i tij, siç tha Koeman, ka si synim të renditet mes katër skuadrave më të mira në La Liga, Sergi Roberto u përgjigj shkurt, duke thënë se ata janë Barcelona dhe synimet i kanë më të larta.

“Nuk është e mjaftueshme për mua që të përfundoj në një ndër katër vendet e para”, theksoi Sergi Roberto.

“Ne jemi Barcelona dhe nuk duhet të bëjmë justifikime. Ne duhet të bëjmë më të mirën dhe kemi një ekip të aftë për të fituar La Ligan”, shtoi mesfushori i Barcelonës, duke kundërshtuar trajnerin e tij.

Kujtojmë që trajneri Koeman erdhi në Barcelonë në verën e vitit të kaluar. Ai në krye të blaugranave ka zhvilluar 60 takime në të gjitha garat, prej të cilave ka realizuar 36 fitore, 12 barazime dhe 12 humbje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore