Kosova

Serbia: Të reagojë bashkësia ndërkombëtare ndaj deklarimit të Kurtit


Beograd

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka reaguar pas deklarimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se do të votonte në një referendum demokratik për bashkim të Kosovës me Shqipërinë.

Ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë ndaj deklarimit të Kurtit “për Shqipërinë e Madhe”, sepse heshtja e saj mund të nënkuptojë miratimin e deklarimit.

Petkoviç ka gjykuar se krijimi i “Shqipërisë së Madhe” do të nënkuptonte destabilizimin fatal të tërë rajonit.

Petar Petkoviç

Edhe Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriç, ka reaguar, duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se siç ka thënë ai “i ashtuquajturi shtet i Kosovës” nuk përpiqet për pavarësi, por për bashkim me vendet e tjera.

Gjuriç me ironi e ka falënderuar Kurtin për deklarimin e tij, duke i thënë se nuk ishte një projekt që ai e reklamonte kaq fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar dhe se gjërat nuk funksionuan ashtu.

Marko Gjuriç

“Nuk mund të ketë referendum paqësor dhe demokratik për krijimin e Shqipërisë së Madhe, sepse ata që do të votonin në atë referendum nuk e kanë në dispozicion Kosovën”, ka deklaruar ai, transmeton Tanjug.

Ndërsa reagime ka pasur edhe nga Lista Serbe (LS), në një njoftim publik, kjo parti politike thotë se Albin Kurti ka treguar “fytyrën e tij të vërtetë që e ka fshehur pa sukses gjatë gjithë kësaj kohe, gjë që u injorua nga disa politikanë perëndimorë”.

“I njëjti shqiptar Kurti, që fliste kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si “bashkësi mono etnikë” tani po flet për Shqipërinë e Madhe, që nuk do të ishte asgjë tjetër pos krijim një kombëtarë”.

Tutje LS në njoftimin e saj thotë se e dënon ashpër deklaratat “irracionale që provokojnë ndjenjën e pasigurisë tek qytetarët dhe që konfirmojnë se në krye të Qeverisë në Prishtinë është një person tejet i papërgjegjshëm”, thuhet ndër të tjera.

Kryeministri Kurti për revistën online “Monocle” të shtunën e 20 nëntorit ka thënë se është për bashkim kombëtar.

“Vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete por kemi të njëjtën gjuhë dhe jemi një komb. Kur e deklaruam pavarësinë, e deklaruam kundër Serbisë dhe jo kundër Shqipërisë”, ka deklaruar Kurti.

Albin Kurti

Ndërsa lidhur me këtë deklarim të tij, reagime ka pasur edhe në Kosovë, duke kërkuar nga Kurti se si ta bëjë bashkimin pasi që ai prej vitesh ka thënë se me qeverisjen e tij do të ndodh bashkimi kombëtarë.

“Në të vërtetë kryeministri do të duhej të na tregonte se çfarë hapash do të ndërmarrë ai për të mundësuar organizimin e një referendumi të tillë”, ka pyetur Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati.

Valon Murati

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore