Lajme

“Serbia të bashkërendohet me BE-në” – Reagon Departamenti amerikan i Shtetit pas ndalimit të fluturimit të Lavrov-it


Zëdhënës në Departamentin amerikan të Shtetit, Ned Price

“Si shtete sovrane, Mali i Zi, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë vendim sovran mbi hapësirat e tyre ajrore në pasqyrim me përkushtimin e Evropës për ta mbajtur Rusinë llogaridhënëse për pushtimin e paligjshëm të Ukrainës”.

Departamenti amerikan i Shtetit u deklarua përmes një deklarate pas pamundësimit të kryediplomatit rus Sergej Lavrov për të fluturuar për në Beograd ku shtetet respektive të Ballkanit Perëndimor mbyllën qiejt ndaj tij, dhe i bëri thirrje Serbisë të rreshtohet krah politikës së jashtme evropiane, qëllim stratetegjik i së cilës deklarativisht është anëtarësimi në BE.

Pyetur nga Zëri i Ameirkës për të komentuar rreth dënimeve dhe kërcënimeve të Ministrit të Jashtëm të Federatës Ruse, Sergej Lavrov, pasi këtij të fundit Shkupi, Sofja dhe Podgorica ia pamundësuan vizitën në Beograd, zëdhënësi i DASh-it, Ned Price, tha se ShBA i bën thirrje Serbisl “të përqendrohet në synimin e saj për anëtarësim në BE, përfshirë edhe harmonizimin e politikës së saj të jashtme dhe sigurisë me pjesën tjetër të Evropës”.

“Ne vazhdimisht i bëjmë thirrje Serbisë që të ndërmarrë hapa për të avancuar në rrugën evropiane, duke përfshirë diversifikimin e burimeve të energjisë, reduktimin e varësisë energjetike nga Federata Ruse dhe harmonizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian. Ne ende duam të jemi partner i Serbisë dhe ta ndihmojmë atë në përpjekjet e saj për të forcuar sigurinë energjetike në planin afatgjatë”, ka thënë Price për VoA.

Pyetur se si mund t’i mbrojë ShBA-ja nga kërcënimet këto tri shtete që ia mbyllën hapësirën ajrore Rusisë, Price tha se që të tria janë në NATO.

“Ata janë anëtarë të NATO-s, dhe përkushtimi ndaj Nenit 5 në lidhje më tria është i detyrueshëm. Dje, ne shënuam pesëvjetorin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, dhe në mars bëhen dy vjet që kur Maqedonia e Veriut u anëtarësua në NATO”.

Kremlini e përshkroi masën e Malit të Zi, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat ndaluan fluturimin e avionëve të Sergei Lavrov, si “një akt armiqësor” dhe tha se “akte të tilla armiqësie mund të shkaktojnë probleme të caktuara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore